Dy prej tre personave të arrestuar sot në Prizren, nën dyshimin për përfshirje në veprën penale “Ushtrim i ndikimit”, janë identifikuar si Bekim Parallangaj, avokat me veprimtari në këtë qytet, dhe Nusret Pepniku, zyrtar në Gjykatën Themelore të Prizrenit.
Tre të arrestuari, në emër të një zyrtari, i kishin premtuar viktimës se do të ndikojnë për lirimin e një të dyshuarit në rastin “Fajdeja”.
Rastin e ka kofirmuar për IndeksOnline edhe zëdhënësi i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren, Shaqir Bytyqi.
“Sektorin Rajonal i Hetimeve/DRP- Prizren, pas ndërmarrjes se veprimeve hetimore në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prizren sot me datë 22.05.2025 ka filluar realizimin e operacionit policor për arrestimin e personave të dyshuar për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale “Ushtrim i ndikimit”, të cilët në bashkëveprim i kane premtuar një viktime, se nê emër të personit zyrtar do të ndikojnë në vendimmarrje tek personi zyrtar, për lirimin e një te dyshuari nga paraburgimi, i cili është i dyshuar për rastin “Fajdeja”. Gjatë operacionit policor i dyshuari nr.1 (i pa punë), i dyshuari nr.2.(shofer ne Gjykatën Themelore ne Prizren) dhe i dyshuari nr.3 (avokat) janë arrestuar dhe shoqëruar në ambientet e Sektorit Rajonal të Hetimeve në Prizren”, ka thënë Bytyçi.
“Me urdhër të Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore ne Prizren, janë kontrolluar shtëpitë dhe objektet tjera përcjellëse të të dyshuarve dhe gjatë kontrollit nuk është gjetur asgjë e dyshimtë. Të dyshuarit në prezencë të avokatëve mbrojtës janë intervistuar dhe me aktvendim të prokurorit nga Prokuroria , i’u caktohet masa e ndalimit për 48 orë”, ka shtuar Bytyqi. /IndeksOnline/