Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka njoftuar sot përmes një postimi në Facebook se Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), në cilësinë e Furnizuesit të Mundësisë së Fundit (FMF), ka filluar nga sot (1 qershor) furnizimin me energji elektrike për të gjitha ndërmarrjet që kanë dalë në tregun e lirë, por nuk kanë arritur të lidhin kontrata furnizimi,shkruan Raporto24
Sipas Rizvanollit, energjia për këto ndërmarrje për datën 1 qershor është siguruar me çmim mesatar prej 64.55 euro/MWh, përmes Bursës Shqiptare të Energjisë Elektrike (ALPEX).
Ministrja u ka bërë thirrje të gjitha ndërmarrjeve që sa më shpejt, brenda afatit ligjor, të nënshkruajnë marrëveshjen e furnizimit me KEK si FMF, ose të zgjedhin një furnizues alternativ.
“KEK është i gatshëm të ofrojë informata dhe ndihmë për të gjithë ata që kërkojnë furnizim përmes kësaj mundësie”, ka thënë Rizvanolli.
Ajo gjithashtu ka kërkuar nga ZRrE që të monitorojë tregun me përpikëri dhe të ndihmojë në një tranzicion të rregullt për të gjitha palët. Sipas saj, Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar për të mbështetur ndërmarrjet që tashmë janë pjesë e tregut të lirë, në mënyrë që të gjejnë zgjidhje sa më të përshtatshme për biznesin e tyre.
“Sa më herët që ndërmarrjet të informohen saktë, aq më i shpejtë dhe më i lehtë do të jetë tranzicioni për to,” ka përfunduar ministrja./Raporto24/