Nën organizimin e Zyrës për Qeverisjë të Mirë, në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, u shënua ceremonia e hapjes së Javës së Krenarisë, me moton “Asnjë Hap Mbrapa”. Në këtë ngjarje, që u mbajt në Ndërtesën e Qeverisë, mori pjesë edhe Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti.
Në adresimin e tij, kryeministri tha se ngjarjet si Java e Krenarisë janë të rëndësishme në betejën për liri dhe të drejta të barabarta, pavarësisht orientimit seksual apo identitetit seksual, gjersa ajo po mbahet për të nëntën herë në Kosovë, si dëshmi e gjallërisë dhe aktivizmit të komunitetit.
Në vijim kryeministri foli për përvojat e dhimbshme për disa pjesëtarë të komunitetit LGBTQI+, edhe sot, edhe në Kosovë, sikurse në vende të tjera, ku ndjenjat e turpit dhe të vetëurrejtjes, mospranimi nga familja dhe diskriminimi në shoqëri, janë dukuri të cilat të gjithë ne, që besojmë fort në liri dhe në barazi, duhet t’i luftojmë së bashku duke u zotuar se do të vazhdojmë përpara, pa asnjë hap mbrapa.
“Në këtë drejtim, institucionet shtetërore janë në krye të detyrës. Qeveria jonë po punon vazhdimisht për zhvillimin e politikave adekuate për një shoqëri gjithëpërfshirëse me trajtim të barabartë për të gjithë dhe pa diskriminim. Nën koordinimin e Zyrës për Qeverisje të Mirë pranë Zyrës së Kryeministrit, është hartuar një plan veprimi për të drejtat e personave LGBTQI+ në Republikën e Kosovës (2025–2027), i cili pritet të finalizohet dhe të miratohet nga Qeveria në këtë vit. Ky plan veprimi synon të rrisë ndërgjegjësimin e publikut për parandalimin e diskriminimit, si dhe të ndërmarrë veprime konkrete nga institucionet në fushat e arsimit, shëndetësisë dhe sigurisë, mes tjerash.” tha kryeministri Kurti.
Shtoi se nën udhëheqjen e Zyrës së Kryeministrit funksionon edhe grupi këshillues dhe koordinues për të drejtat e komunitetit LGBTQI+ në Kosovë, një mekanizëm kyç për promovimin e të drejtave të njeriut dhe parandalimin e diskriminimit. Ky mekanizëm përbëhet nga përfaqësues të shoqërisë civile dhe të ministrive përkatëse; përfaqësues të gjyqësorit, Prokurorit të Shtetit dhe Policisë së Kosovës; përfaqësues të Komunave dhe të Qendrave për Punë Sociale; si dhe partnerë ndërkombëtarë. Të gjitha këto institucione po punojnë së bashku dhe pa u ndalur, për një Kosovë më të drejtë dhe më të barabartë.
Në përfundim, kryeministri Kurti tha se kjo javë dhe të gjitha ngjarjet që do të zhvillohen si pjesë të saj, e mbështesin fuqishëm parimin që secili prej nesh ka të drejtë të shfaqet në publik ashtu siç është: pa turp, pa siklet dhe pa poshtërim.
“Pikërisht pse jemi njerëz të ndryshëm, duhet të jemi të barabartë si njerëz. E nëse duhet, atëherë mundemi.” përmbylli fjalën e tij kryeministri.