Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ceremoninë e organizuar me rastin e shënimit të 40-vjetorit të Kishës Protestante Ungjillore ” Bashkësia e Popullit të Zotit”.
Në fjalën e tij kryeministri theksoi se Kisha Protestante ka qenë një zë i paqes shoqërore, i dinjitetit njerëzor dhe i shërbimit popullor për të mirën e përbashkët. Duke shtuar se kjo përputhet me vizionin e shtetit tonë për një shoqëri demokratike, të zhvilluar e të barabartë, dhe gjithëpërfshirëse.
Shtoi se veprimtaria e rrugëtimit të kësaj Kishe është dëshmi e një rrugëtimi shpirtëror, qytetar dhe njerëzor të bashkësisë së besimtarëve, të cilët me përkushtim e modesti i kanë shërbyer Zotit dhe komunitetit.
“Gjatë katër dekadave, Kisha ka qenë një vend besimi, një vatër shprese, një hapësirë solidariteti dhe qendër përfshirjeje në bashkëjetesën e shoqërisë sonë.”, tha ai.
Si shtylla themelore të vendit, ai përmendi diversitetin kulturor dhe fetar për të cilat tha se përbëjnë një ndër pasuritë kryesore të shtetit tonë gjithëpërfshirës dhe demokratik.
“Bashkëjetesa dhe respekti ndërfetar janë vlera që i ruajmë dhe i kultivojmë me krenari.”, tha ndër të tjera.
Në përmbyllje të fjalës së tij të rastit, kryeministri tha se ne e njohim dhe e vlerësojmë historinë, identitetin dhe pasurinë e shumëllojshme të vendit tonë, si dhe rolin e këtyre në promovimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Angazhimi i komunitetit protestant në nxitjen e dialogut, edukimit, shërbimeve sociale dhe ndihmës për ata që kanë më shumë nevojë, është shembull që meriton vlerësim.
“E në veçanti, këtu do të kisha theksuar rolin për arsimin, sepse të gjithë e dimë që Gjerasim Qiriazi, ka qenë mësimdhënës në shkollën shqipe në Korçë, në vitet 1887-të, dhe kjo traditë e kontributit për arsimin shqip është jetike për kombin tonë sepse shqiptarët para së gjithash, e mbi të gjitha janë komb i gjuhës, e arsimi është institucionalizimi i kombit, si komb i gjuhës. E në këtë përvjetor jubilar, të nderuar të pranishëm, dua të shpreh mirënjohjen time dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës për kontributin tuaj të çmuar për vendin tonë. Uroj që ky përvjetor të jetë një pikë reflektimi dhe besimi për të ecur përpara dhe së bashku.” përfundoi ai.