No menu items!

Konstituimi i Kuvendit, Kurti: Bojkoti i votimit është shkelje e Kushtetutës

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili është edhe kryetar i LVV-së, bojkotimin e votimit nga deputetët që marrin pjesë në vazhdimin e seancës për konstituimin e Kuvendit e ka quajtur sjellje politike të papërgjegjshme dhe njëkohësisht shkelje të Kushtetutës.

“Për bindjen time, ardhja në vazhdimin e seancës dhe bojkotimi i votimit politikisht është sjellje e papërgjegjshme, juridikisht është shkelje e Kushtetutës”, ka theksuar Kurti, duke iu referuar pikës 128 të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të datës 26 gusht 2014.

Sipas këtij aktgjykimi, çdo deputet është i obliguar të votojë – pro, kundër ose të abstenojë – në procesin e konstituimit të Kuvendit.

Kurti ka thënë se konstituimi i Kuvendit nuk është vetëm përgjegjësi e partisë fituese të zgjedhjeve, por e të gjithë deputetëve.

Ai shtoi se pasi të formohet Kuvendi, përgjegjësia e tij do të jetë formimi i qeverisë së re. Deri atëherë, vendi do të qeveriset nga qeveria në detyrë.

Tutje Kurti, u ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës që të marrin pjesë në votim, duke e konsideruar këtë si një obligim kushtetues dhe rrugëdalje nga ngërçi politik.

“Ju bëj thirrje edhe një herë deputetëve që, në përputhje me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe me të drejtën e obligimet e tyre, të marrin pjesë në votim. Meqë e provuam votimin e hapur, le ta provojmë edhe votimin e fshehtë, sepse kështu e parasheh edhe aktgjykimi i datës 26 gusht 2014”, u shpreh Kurti, raporton RTKlive.

Ai shtoi se rruga për të dalë nga kriza politike është e qartë, por se kërkon vullnet për të ecur përpara. “Ne e respektojmë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese – por për ta respektuar, duhet ta kemi së pari”, përfundoi Kurti. /Telegrafi

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU

Raporto24
Përmbledhje e privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të shfletimit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat pjesë të faqes ju duken më interesante dhe të dobishme.