Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka shfrytëzuar rrjetet sociale për të bërë një reagim pas medaljeve të fituara nga Distria Krasniqi dhe Laura Fazliu në Kampionatin Botëror të mbajtur në Budapest të Hungarisë.
Kosova e ka përfunduar Kampionatin Botëror me sukses duke rrëmbyer dy medalje, nga tre sportistë sa ishin duke na përfaqësuar
Fillimisht Distria arriti të fitojë medaljen e argjendtë në kategorinë deri në 52 kilogramë, e pasuar nga Laura Fazliu e cila fitoi të bronztën në kategorinë deri në 63 kilogramë.
Ky triumf i dyfishtë i Kosovës në Budapest ka bërë që kryeministri në detyrë, Albin Kurti, të reagoj me krenari dhe t’i uroj të gjithë për këtë sukses.
Postimi pa ndërhyrje i Kurtit
Dy vajza, dy podiume, një ekip që vazhdon të na bëjë krenarë.
Pas suksesit të Distria Krasniqit me medaljen e argjendtë, Laura Fazliu siguroi edhe një medalje për Kosovën në Kampionatin Botëror të Xhudos. Kjo është medalja e dytë botërore e Laurës. Me qetësi dhe vendosmëri, ajo u ngjit sërish në podiumin e shkëlqimit, duke dëshmuar vazhdimësinë dhe forcën e kampionëve tanë.
Me këto dy medalje, një të argjendtë dhe një të bronztë, Kosova e mbyll këtë kampionat me sukses dhe e çon në 10 numrin total të medaljeve botërore, dyfishi i atyre olimpike.
Urime Laurës, Distrias, trajnerit Driton Kuka, Federatës së Xhudos dhe tërë komunitetit sportiv!