Një rast i rëndë i fajdesë është zbuluar në fshatin Turjakë të Malishevës, ku një qytetar ka përfunduar viktimë e një skeme të strukturuar huadhëniesh me kamata të larta dhe afate shtrënguese kthimi.
Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se më 19 qershor 2025, rreth orës 22:0″, E.K., 33 vjeçar ka raportuar në polici se kishte marrë 3000 euro me kamatë mujore prej 20% nga dy persona – M.K. dhe Z.P., të cilët tashmë po i kërkojnë kthim me kushte kërcënuese.
Ai ka deklaruar se nga janari deri në maj ka paguar nga 600 euro në muaj vetëm si kamatë, ndërsa përgjatë kësaj kohe ka marrë edhe tri herë nga 1000 euro, për të cilat ka kthyer nga 1200 euro brenda tri javëve.
Situata është përshkallëzuar në muajin maj, kur ankuesi ka marrë sërish 3000 euro, me afat kthimi deri më 20 qershor 2025, në të kundërt – sipas marrëveshjes verbale – borxhi do t’i rritet në 4100 euro.
Policia ka intervistuar viktimën dhe në koordinim me Prokurorin e Shtetit, është iniciuar rasti penal për veprën “Fajdeja”.
Hetimet janë duke u zhvilluar nga njësitë përkatëse, të cilat pritet të ndërmarrin masa shtesë ndaj personave të dyshuar.
Rasti mbetet nën hetim, ndërsa autoritetet janë në kërkim të provave dhe lidhjeve të mundshme të fajdexhinjve me raste të tjera të ngjashme.