Korporata Energjetike e Kosovës (KEK sh.a.) ka njoftuar se njësia A3 e Termocentralit “Kosova A”, e cila ishte ndalur papritmas ditën e djeshme, është rikthyer sot në funksion të plotë.
Sipas njoftimit zyrtar, rikthimi në operim ka ndodhur më 19 qershor 2025, rreth orës 08:00 të mëngjesit, falë reagimit të shpejtë dhe përkushtimit të stafit teknik të termocentralit.
“Rikthimi i njësisë është mundësuar falë reagimit të menjëhershëm dhe angazhimit profesional të stafit të Termocentralit ‘Kosova A’, të cilët kanë punuar pandërprerë, përfshirë edhe ndërrimin e tretë,” thuhet në njoftim.
Procesi i startimit kishte filluar që në orët e para të mëngjesit, ndërsa sinkronizimi me rrjetin energjetik është realizuar rreth orës 08:00.
Aktualisht, KEK konfirmon se njësia A3 është në funksion të qëndrueshëm dhe në gjendje stabile.
KEK sh.a. thekson se do të vazhdojë të informojë publikun me transparencë për çdo zhvillim që ndikon në operimin e njësive dhe furnizimin me energji elektrike.