Prishtinë/Pejë, 21 qershor 2025 –
Dy zyrtarë policorë janë arrestuar nga hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), në koordinim me Prokurorinë Themelore në Pejë, nën dyshimin për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Sipas komunikatës së përbashkët të IPK-së dhe Prokurorisë, veprimet hetimore kanë përfshirë intervistimin e të përfshirëve në rast, përfshirë edhe të dyshuarit. Pas punës intensive të Prokurorit të Shtetit dhe hetuesve të IPK-së, dy zyrtarët policorë janë arrestuar dhe me vendim të prokurorit, ndaj tyre është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
IPK njofton se hetimet do të vazhdojnë me veprime të tjera hetimore për të ndriçuar plotësisht rrethanat që ndërlidhen me këtë rast.
Rasti lidhet me një aksident trafiku të raportuar më 28 maj
Sipas komunikatës paraprake të publikuar më 20 qershor, IPK kishte filluar një hetim preliminar pas raportimeve në media për përfshirjen e një nënkoloneli dhe një kapiteni policor në një incident të ndodhur më 28 maj 2025 në rrugën “Shpëtim Bojku” në Pejë.
Hetuesit e IPK-së kishin reaguar menjëherë dhe kishin ndërmarrë veprime fillestare në konsultim me Prokurorinë e Shtetit. Dyshohet se zyrtarët policorë kanë ndërhyrë në mënyrë të parregullt gjatë trajtimit të një personi që ishte shoqëruar në stacion policor, edhe pse nuk kishte qenë i përfshirë në aksidentin e trafikut, por kishte penguar punën e zyrtarëve.
Nënkoloneli dhe kapiteni policor dyshohet se nuk e kanë përcjellë rastin për hetim sipas procedurës dhe nuk e kanë njoftuar Prokurorinë për incidentin. Në vend të kësaj, i dyshuari ishte dënuar vetëm me një tiketë për prishje të rendit dhe qetësisë publike.
Rekomandim për suspendim dhe hetime të mëtejme
Si pjesë e masave të marra në interes të hetimeve, IPK kishte rekomanduar suspendimin e përkohshëm të dy zyrtarëve të dyshuar, derisa të përfundojnë veprimet e nevojshme hetimore në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Pejë./Raporto24/