Avokati i njohur Besnik Berisha ka reaguar ashpër përmes një postimi në Facebook, pas ndalimit të nënkolonelit të Policisë së Kosovës, Nexhat Gutiqi, dy ditë pas vdekjes së babait të tij.
Berisha e ka krahasuar këtë rast me atë të ish-presidentit Hashim Thaçi, të cilit Dhomat e Specializuara ia kishin ndaluar pjesëmarrjen në varrim dhe të pame të babait të tij,shkruan Berisha trasmeton Raporto24
“Nexhat Gutiqi, nënkolonel i Policisë së Kosovës, dy ditë pas humbjes së babait, në vend që të mund t’i presë miqtë dhe familjarët për ngushëllime, u mor nga e pamja dhe u dërgua në ndalim policor për një ‘dyshim disiplinor’, i cili s’ka as peshë juridike, as rrezik për hetim”, shkroi Berisha.
Sipas tij, kjo është një padrejtësi e rëndë ndaj një njeriu që për vite i ka shërbyer shtetit dhe rendit.
“Institucioni të cilit ai i dha jetë e karrierë në luftën kundër krimit, e ndëshkoi në ditën më të dhimbshme të jetës së tij jo sepse ligji e kërkon, por sepse dikush vendosi të luajë ‘Maliqin’, për të promovuar vetveten në kurriz të njerëzores”, theksoi ai.
Berisha përmbylli reagimin duke e quajtur këtë veprim si “dhunë morale dhe abuzim me diskrecionin” dhe theksoi se heshtja ndaj kësaj padrejtësie është formë e bashkëpjesëmarrjes./Raporto24/