Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se sot është realizuar një aksion i suksesshëm nga njësitet relevante të Policisë së Kosovës, në bashkëpunim me AKI-në dhe Prokurorinë, e nën monitorim të KFOR-it dhe EULEX-it.
Bastisja është zhvilluar në fshatin Vallaq të Zveçanit, ku është gjetur një sasi e madhe armatimi, përfshirë raketahedhës dore (zolla), granata dore, tromblonë, armë dhe municion të llojeve të ndryshme,shkruan Sfeçla trasmeton Raporto24
“Sipas informacioneve që kam pranuar, armatimi i rëndë është gjetur në një objekt që i përket politikanit Aleksandar Arsenijevic”, shkruan ministri Sveçla në një postim në Facebook, ku ka publikuar edhe video nga aksioni.
Ai theksoi se ky arsenal ishte i mjaftueshëm për një njësi terroriste dhe se institucionet janë të vendosura në çrrënjosjen e të gjitha elementeve kriminale që rrezikojnë sigurinë e vendit.
“Krimi nuk mund të fshihet kurrë, pavarësisht petkut që vesh. Nuk do të ndalemi derisa të çrrënjosim plotësisht mbetjet kriminale e terroriste të Serbisë nga vendi ynë”, ka deklaruar Sveçla.