Kryetari i Drenasit Ramiz Lladrovci nëpërmjet një postimi në facebook ka deklaruar se pret që Partia Demokratike Kosovës dhe Kryetari Memli Krasniqi ta zyrtarizojnë kandidaturën e tij për kryetar të Drenasit.
Lladrovci ka shkruar se “vendimi i Kryesisë të Degës së PDK-së më 9.6.2025 ishte i qartë, 41 ishin për kandidaturën time për kryetar komune edhe një mandat, një kundër dhe një abstenim”. Sipas kryetarit aktual, ky është rast për reflektim brenda strukturave dhe vullnetin politik të nivelit lokal.
“E kam deklaruar se është në dorë të Kryetarit Krasniqi dhe Kryesisë së PDK-së të bëj emërimin zyrtar të kandidaturës time si përfaqësues i PDK-së, si themelues i PDK-së, ish deputet dhe kryetar i komunës nga viti 2016, gjashtë herë kampion i qeverisjes së mirë nga shtatë vitet e ekzistencës së garës për performancën komunale”, ka shtuar ai.
Tutje Lladrovci ka ironizuar duke thënë se “Dada Razë” nuk mund t’i fitojë zgjedhjet në Drenas nëse kandidohet nga PDK.
“Nëse dikush e mendon se “edhe Dada Razë”, i fiton zgjedhjet kur kandidohet nga PDK në Drenas, nuk qëndron, sepse, si asnjë degë e PDK-së në Kosovë, Dega në Drenas kishte ballafaqime mjaft sfiduese. Uniteti në degën e PDK-së, ishte i konfirmuar me zgjedhjet nacionale, duke arritur 19.614 vota, si asnjë herë më parë. Qytetari i komunës së Drenasit i nderon veprat, andaj, në qetësi mirëpres vendimin e Kryetarit Krasniqi dhe të Kryesisë së PDK-së”.
Postimi i plotë
Qytetarë dhe media të nderuara,
Pas shumë thirrjeve tuaja dhe pyetjeve nga mediat, rreth kandidaturës time për kreun e komunës së Drenasit, theksoj si vijon:
Kam qenë dhe mbetem kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Drenasit, i përkushtuar për të vijuar me projektet dhe punën që po e bëjmë në pajtim me mandatin dhe mundësitë që i lejon ligji.
E kam deklaruar se është në dorë të Kryetarit Krasniqi dhe Kryesisë së PDK-së të bëj emërimin zyrtar të kandidaturës time si përfaqësues i PDK-së, si themelues i PDK-së, ish deputet dhe kryetar i komunës nga viti 2016, gjashtë herë kampion i qeverisjes së mirë nga shtatë vitet e ekzistencës së garës për performancën komunale.
Komuna e Drenasit ka marrë edhe Çmimin Evropian për Qeverisjen e Shkëlqyer në Shkup, të mbështetur nga ALDA, Këshilli i Evropës dhe Qendra e Ekspertizës për Qeverisjen e Mirë, me arritjen e nivelit të lartë të qeverisjes së mirë, të krahasuar me 12 standardet e Këshillit të Evropës.
Pres që Kryetari dhe Kryesia e Partisë, të marrin në konsideratë traditën dhe përvojën e deritashme të zhvillimeve pozitive në parti, të çmojnë meritokracinë dhe vendimi të jetë i bazuar në vepra. Unë, me qeverisjen time e kam bërë PDK-në krenare, me vlerësimet e performancës, ku marrin pjesë institucionet vendore e ndërkombëtare.
Për këto vite të qeverisjes së mirë, asnjë nga zyrtarët apo drejtorët e komunës nuk ka as akuzë e as dënime për punën në komunë, ashtu siç unë nuk kam asnjë akuzë e as dënim gjatë qeverisjes së shkëlqyer, duke qenë qeverisje lokale me duar të pastra.
Nëse dikush e mendon se “edhe Dada Razë”, i fiton zgjedhjet kur kandidohet nga PDK në Drenas, nuk qëndron, sepse, si asnjë degë e PDK-së në Kosovë, Dega në Drenas kishte ballafaqime mjaft sfiduese. Uniteti në degën e PDK-së, ishte i konfirmuar me zgjedhjet nacionale, duke arritur 19.614 vota, si asnjë herë më parë. Qytetari i komunës së Drenasit i nderon veprat, andaj, në qetësi mirëpres vendimin e Kryetarit Krasniqi dhe të Kryesisë së PDK-së.
Gjashtë herë Drenasi është komuna me qeverisjen më të mirë, transparente e llogaridhënëse, besoj fort se do të shpallemi kampion edhe për herë të shtatë, tetë, nëntë e dhjetë…