Punëtorëve të sigurimit në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), rreth 260 sish, u është ndërprerë kontrata, ndërsa drejtori i përkohshëm Osman Hajdari refuzoi të diskutojë me ta në prani të mediave.
Ai deklaroi se Policia e Kosovës do të mbulojë sigurinë fizike deri në përfundimin e procedurave për kontratën e re.
“Nuk bën me manipulu ju si media dhe askush. Ne si QKUK kemi pasur një kontratë të negociuar për punëtorët fizik të sigurimit. OSHP, mbas dy muajve, ka sjellë një vendim që kërkon nga QKUK me ndërpre kontratën. Si drejtor, natyrisht që jemi të obliguar të zbatojmë vendimin e OShP dhe i kam dhënë afat kompanisë deri më 21 qershor. Gjatë kësaj periudhe ka bërë ankesë te gjykata komerciale, gjykata ka kërkuar prej neve me vendos masa të përkohshme dhe me padinë që ka ngritur nga kompania. Deri tani nuk kam asnjë vendim nga gjykata. Gjatë kësaj kohe kemi bërë një kontratë tjetër. Kam kërkuar nga Policia që deri në një kontratë të re të qëndrojnë. Prej sot edhe në formë fizike policia ka me vendos pikat kyçe si e sheh me mbuluar. Ajo çka unë si menaxhment është që QKUK ka siguri fizike prej Policisë së Kosovës, pra nuk jemi pa sigurim fizik. Prej momentit ku nuk ka kontratë për një kompani, as unë si drejtor nuk kam të drejtë të kërkojë të qëndrojnë në QKUK. Janë vendosur Policia e Kosovës. Kontrata e re e negociuar është duke u proceduar, nesër ne kemi një kontratë të nënshkruar me një operator. Deri në momentin kur finalizohet kontrata e re, Policia e Kosovës do të sigurojë siguri në QKUK,” deklaroi Osmani.
Ndërkohë, kryetari i sindikatës në QKUK, Hakif Sylejmani, shprehu shqetësimin për punëtorët që kanë qenë të pambrojtur dhe pa uniforma.
Të gjithë punëtorët i kam pasur të rrezikuar nëpër pika. Ne pa kontratë nuk mund të jemi në punë, të na ofrojnë një garanci që me këta punëtorë të vazhdojë të punoj. QKUK është institucion i lartë, kurse punëtorët janë pa uniformë. Kjo është e çuditshme,” theksoi Sylejmani.
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, tha se punëtorët do të qëndrojnë në shtëpi derisa të nënshkruhet kontrata e re, duke e cilësuar situatën si pasojë e interesave të kompanive.
Sot është moment më ndryshe që institucionet tona, kur i ka skaduar kontrata, punëtorët kanë punuar pa kontratë. Të gjithë ata punëtorë do të qëndrojnë në shtëpi deri të bëhet kontrata. Ne tanimë nuk duam të shërbejmë askujt, kjo është interes individual, kompanitë po shtyhen mes vete. Ne kemi marrë vendim që të gjithë punëtorët nuk do të qëndrojnë deri të nënshkruhet kontrata e re me punëtorët.”, shtoi Azemi.