Rreth orës 10:30 të paradites, një fëmijë rreth moshës 6-vjeçare është gjetur i vetëm në parkun e Gërmisë në Prishtinë. Qytetarët që e kanë vërejtur pa përcjellje menjëherë kanë njoftuar Policinë e Kosovës.
Sipas burimeve për Raporto24, reagimi i policisë ka qenë i menjëhershëm. Ata kanë marrë në kujdes fëmijën, i cili është identifikuar vetëm me inicialin A. Fëmija ka thënë se ishte me prindin, por nuk ka mundur të sqarojë më shumë.
Një qytetar që ndodhej aty tha për Raporto24 se policia, bashkë me fëmijën, ka kërkuar prindërit në zonën përreth, por pa sukses. Derisa të lajmërohen prindërit, fëmija është marrë nën përkujdesje nga autoritetet.
Rasti është në trajtim nga Policia e Kosovës dhe pritet që familjarët të identifikohen sa më parë./Raporto24/