Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar përmes një postimi në Facebook lidhur me hapjen e ekspozitës “The Kosovo War Photographs” nga fotoreporteri britanik Wade Goddard – një ekspozitë tronditëse që sjell kujtimet e luftës së Kosovës përmes objektivit të një dëshmitari të drejtpërdrejtë.
Nga mbi 500 fotografi të realizuara mes tmerrit e dhimbjes gjatë vitit 1999, Goddard është përballur me sfidën e përzgjedhjes së më pak se 70 prej tyre për këtë ekspozitë. Sipas Kurtit, ky është një dokumentim i kujdesshëm dhe thellësisht personal që pasqyron lidhjen e fortë të autorit me popullin e Kosovës.
“Fotografitë e tij janë dëshmi. Ato janë dritare që lidhin shpirtin e popullit me kujtimet, me dhimbjen, me të vërtetën,” shkruan Kurti.
Ekspozita sjell imazhe të fuqishme – nga tanket në rrugët e Kosovës, fëmijët në karroca, rrënojat e shtëpive të djegura, kolonat e refugjatëve me traktorë, e deri tek momentet e fundit me të dashurit e vrarë mizorisht.
Kurti theksoi se kjo ekspozitë nuk është vetëm kujtim dhe përkujtim, por edhe një thirrje për drejtësi për viktimat e gjenocidit dhe spastrimit etnik të kryer nga regjimi i Serbisë në pranverën e vitit 1999.
“Ju sugjeroj të gjithëve ta vizitoni,” përfundon postimi i tij.
Ekspozita është një rikthim i dhimbshëm por i domosdoshëm, që na kujton jo vetëm tragjedinë e kaluar, por edhe detyrën për të ruajtur kujtesën dhe për të kërkuar drejtësi./Raporto24/