Ani se konflikti mes Iranit dhe Izraelit ka përfunduar dhe çmimet ndërkombëtare të naftës kanë shënuar rënie, në Kosovë çmimi i këtij derivati vazhdon të bie ngadalë.
Ndryshe nga rritjet e shpejta që ndodhin pothuajse menjëherë pas ndryshimeve të çmimeve në bursat ndërkombëtare, rëniet pasqyrohen me shumë vonesë.
Kështu thonë nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, derisa nga Shoqata e Naftëtarëve e mohojnë një gjë të tillë. Kjo shoqatë pretendon se ka ulje të çmimeve të derivateve. Në anën tjetër, qytetarët janë të zhgënjyer me mënyrën se si po lëvizin çmimet e derivateve në treg.
Aktualisht sot në tregun e Kosovës 1 litër naftë sillet mesatarisht nga 1.21 deri në 1.29 euro, derisa një litër benzinë shënon 1.21 centë deri në 1.30 euro.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) në një përgjigje me shkrim për KosovaPress ka bënë të ditur se pas inspektimeve të zhvilluara në terren nga Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut ka konstatuar se çmimet e shitjes në tregun vendor reagojnë menjëherë kur rriten çmimet nga importi, ndërsa nuk ndodh e njëjta kur çmimet bien.
“Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, pas këtyre inspektimeve ka hartuar raportin përfundimtar ku është evidentuar se ndryshimet e çmimeve furnizuese nga importi shpesh pasqyrohen në rritje të menjëhershme të çmimeve të shitjes, ndërsa nuk ndodh një reflektim proporcional në ulje kur çmimet furnizuese bien, dhe ka rekomanduar marrjen e vendimit nga MINT për rregullimin e çmimeve të produkteve të naftës dhe caktimin e masave mbrojtëse për produktet e naftës”, thuhet në përgjigjen me shkrim nga MINT.
Vendimi për këtë çështje është nënshkruar më 24 qershor 2025 dhe ka hyrë në fuqi një ditë më pas, pas publikimit në Gazetën Zyrtare.
MINT thekson se është shtuar mbikëqyrja në bashkëpunim me Doganën dhe Administratën Tatimore të Kosovës, dhe paralajmëron masa ndëshkuese për operatorët që nuk respektojnë ligjin.
“Përmes këtij vendimi parashihet mbikëqyrje e shtuar inspektuese nga Inspektorati i Tregut në bashkëpunim me Doganën dhe Administratën Tatimore, ku gjatë kësaj mbikëqyrje të shtuar dhe rigoroze në të gjitha rastet kur konstatohet se ka shkelje nga ana e operatorëve ekonomik, Inspektorët e tregut të Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut do të marrin të gjitha masat ndëshkuese sipas legjislacionit në fuqi. Ju njoftojmë ju dhe të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës se Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, pranë MINT mbetet i përkushtuar për mbrojtjen e konsumatorit, mbrojtjen e konkurrencës së ndershme dhe mënjanimin e çrregullimeve në treg”, thuhet mes tjerash
Ndryshe thotë kryetari i shoqatës së naftëtarëve, Fadil Berjani. Sipas tij rënia në tregjet ndërkombëtare, ka reflektuar edhe në Kosovë.
Ai tha se çmimi i naftës sot në Kosovë është deri 1.27 euro për litër.
“Me uljen e derivateve në Berzh dhe marrëveshja e përfundimit të konfliktit Izrael-Iran, ka rënie në tregjet ndërkombëtare, dhe kjo ka reflektuar edhe në Kosovë”, thotë Berjani në një përgjigje me shkrim.
Ndërkohë, qytetarët shprehen të pakënaqur dhe kritikojnë mënyrën se si vendosen çmimet në treg.
Qytetari, Curr Gjonbalaj derisa thotë se çmimi i derivateve duhet të shënojë rënie, shton se kur çmimet bien në botë, në Kosovë nuk ndodhë një gjë e tillë.
Derisa thotë se edhe institucionet përgjegjëse duhet të merren me këtë çështje.
“Sigurisht se duhet të bie, patjetër, kur të bien çmimet në botë, tek ne nuk bien, ndërsa kur të ngritjen, atëherë menjëherë të nesërmen i kemi çmimet e ngritura… patjetër që duhet të merret (shteti me këtë)”, thotë ai.
Edhe qytetarja, Nadire Hoti thekson se duhet të bie çmimi i naftës edhe në Kosovë.
“Duhet të bie çmimi i naftës…Për standardin në Kosovë është shumë shtrenjtë, për vendin ku jetojmë…pasi ka rënë çdo vend…Është rrit shumë shpejtë, mirëpo është duke rënë shumë ngadalë ose hiq”, thotë Hoti.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, bëri thirrje të hënën për mbajtjen e çmimeve të naftës të ulëta, ndërsa çmimet u rritën në nivelin më të lartë pesëmujor pas sulmeve të fundjavës së SHBA-së ndaj objekteve bërthamore iraniane.
Pas kësaj, ka njoftuar se është arritur armëpushim mes Izraelit dhe Iranit, raporton KosovaPress. /Telegrafi/