Eshtë arrestuar personi i dyshuar për një grabitje të armatosur që ndodhi më 18 qershor në rrugën “Dëshmorët e Kombit” në Prishtinë, ku nën kërcënimin e një pajisjeje elektroshok janë grabitur disa telefona me vlerë të konsiderueshme.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se i dyshuari është Armir Shabani, 29 vjeçar, i cili dyshohet se ka kryer dy grabitje të ndara në lokalin AZ-Tech, ku viktima në rastin e fundit ishte S.Z., 41 vjeçar dhe A. M., 21 vjeçar, ndërsa dëshmitar ishte I.K, 25 vjeçar.
Sipas raportimeve, i dyshuari kishte përdorur një elektroshok për të kryer aktin e grabitjes, duke marrë 3 telefona celularë me vlerë rreth 3,500 euro.
Më 26 qershor 2025, rreth orës 21:00, njësia e hetimeve e Prishtinës ka arritur ta lokalizojë dhe arrestojë Armir Shabanin, i cili është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës për dy raste grabitjeje.
Gjatë kontrollit të banesës së tij, policia ka sekuestruar një pajisje elektroshok, që dyshohet se është përdorur në grabitjet
Me urdhër të Prokurorit të Krimeve të Rënda, është lëshuar aktvendim për ndalim dhe i dyshuari është dërguar në Qendrën e Ndalimit.
Hetimet janë në vazhdim dhe pritet të hetohet nëse Shabani ka lidhje edhe me ndonjë rast tjetër grabitjeje në kryeqytet.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.