Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka komentuar aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës, shkruan Gazeta Sinjali.
Ai theksoi dy gjetjet kryesore të vendimit: praktikën e mëparshme të votimit dhe nevojën për bashkëpunim ndërmjet subjekteve parlamentare në mungesë të shumicës.
Haradinaj vuri në dukje rëndësinë e afatit kohor prej 30 ditësh, brenda të cilit duhet të përmbyllet seanca konstituive, duke nënvizuar se kushtet janë pjekur për rikthimin e votës së hapur në Kuvend.
“Është thelbësore që tashmë janë krijuar kushtet për të kthyer praktikat e votimit me votë të hapur dhe për të zhvilluar konsultime që do të çojnë në dakordim për kandidatët,” tha ai.
Lideri i AAK-së nënvizoi gjithashtu domosdoshmërinë e kompromisit për të shmangur bllokadën dhe për të lehtësuar procesin e konstituimit të institucioneve të reja.