Kryetari aktual i Mitrovicës, Bedri Hamza, ka njoftuar se në zgjedhjet lokale në këtë komunë nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) do ta garojë Arian Tahiri, aktualisht nënkryetar i Komunës.
Hamza ka shkruar në Facebook se e mbështet Tahirin për kryetar të Mitrovicës, për zgjedhjet që do të mbahen më 12 tetor.
“Arian Tahiri është kryetari i ardhshëm i Mitrovicës! Sot, zyrtarisht mbështes të ardhmen. Nga sot, Mitrovicës ia ofrojmë Arian Tahirin si kandidat për të udhëhequr me qytetin tonë të zemrës. Duhet dije për të udhëhequr. Duhet zemër. Duhet përkushtim. Arian Tahiri i ka të gjitha! Si doktor shkence, ai i takon brezit të ri që nuk heziton të marrë përgjegjësi dhe ndjehem mirë që përgjegjësinë për t’i shërbyer Mitrovicës po ia lë dikujt që e meriton. Ariani e do shumë Mitrovicën. Është i arsimuar, i vendosur dhe shumë i përkushtuar për t’i shërbyer qytetarëve dhe qytetit tonë, ku ai ka lindur, punon e jeton”, ka shkruar Hamza.
Tahiri ka shkruar në llogarinë e tij në Facebook se mori përkrahjen e Kryesisë së Degës së PDK-së dhe tha se kandidimi është përgjegjësi për të.
“Sot, me besimin e Kryesisë së Degës së PDK-së, u votova si kandidat për Kryetar të Komunës së Mitrovicës. Me përulësi, mirënjohje dhe ndjenjë të thellë përgjegjësie, e pranoj këtë besim të madh për të garuar në shërbim të qytetit tim, qytetit tonë të dashur, Mitrovicës. Jam rritur me dheun e këtij qyteti në këpucë, me rrugicat që më formuan si njeri, dhe me ëndrrën që një ditë do të mund të jap më shumë për qytetin që e duam kaq shumë. Sot, kjo ëndërr mori drejtim konkret”, ka thënë ai