No menu items!

Vuçiq ankohet në Perëndim për urat e reja në Ibër

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Beogradi zyrtar ka bërë ankesë zyrtare te fuqitë perëndimore, pasi Qeveria në detyrë e Kosovës vendosi gurthemelet e dy urave të reja mbi lumin Ibër të martën.

“Ata kanë bërë gjithçka dhe tani kemi parë që i kanë vendosur gurthemelet për dy ura, dhe ai (Albin Kurti) e ka bërë këtë pa e marrë pëlqimin e popullit serb dhe njerëzve të Mitrovicës së Veriut, sepse kjo do të nënkuptonte eksod përfundimtar”, ka thënë ai për televizionin “Informer”.

Vuçiqi ka shtuar se ”të gjithë tani duhet të bashkohen për të ruajtur popullin serb në Kosovë”.

Një ditë më parë, zyrtarë të Qeverisë në detyrë bashkë me përfaqësues të komunave të Mitrovicës së Jugut dhe asaj të Veriut, kanë vënë gurthemelin e dy urave të reja që lidhin qytetin e Mitrovicës.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se ndërtimi i urave të reja është në funksion të komunikimit dhe bashkëpunimit ndërmjet komuniteteve, duke theksuar se mungesa e tyre krijon tensione.

Sipas tij, ndërtimi i këtyre urave është në përputhje të plotë me planet zhvillimore dhe ligjin, tek i është përgjigjur paralajmërimit të një dite më parë nga Bashkimi Evropian, i cili u ka kërkuar autoriteteve të Kosovës që të përmbahen nga “veprime të njëanshme”, përfshirë edhe ndërtimin e urave bashkëngjitëse.

Sa i përket urës qendrore, Kurti ka thënë se edhe asaj do t’i vijë koha për t’u hapur.

Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka thënë se punimet do të përfundojnë më së largu në tetor.

Njëra nga urat e reja do të ketë gjatësi 51 metra dhe gjerësi 10 metra, me trotuare nga 1.5 metra, ndërsa tjetra do të jetë 41 metra e gjatë dhe 3.7 metra e gjerë.

Me këto dy ura të reja, numri i përgjithshëm i urave mbi lumin Ibër në Kosovë do të shkojë në 37.

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU

Raporto24
Përmbledhje e privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të shfletimit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat pjesë të faqes ju duken më interesante dhe të dobishme.