Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se do të bëjnë gjithçka që Kuvendi i ri të konstituohet deri në fund të korrikut, në frymën e bashkëpunimit ndërpartiak.
Pas një takimi rreth dyorësh me Presidenten Vjosa Osmani të mërkurën, Kurti theksoi se afatet ligjore janë duke rrjedhur dhe se konstituimi i legjislaturës së re duhet të ndodhë në javën e fundit të këtij muaji.
“Do të bëjmë çmos që në frymën e bashkëpunimit, me idenë e konsensusit apo kompromisit, ta realizojmë këtë gjë, në mënyrë që më pastaj të kalojmë te formimi i qeverisë së re,” u shpreh Kurti.
Ai bëri të ditur se në takim me Presidenten janë diskutuar të gjitha elementet përbërëse të procesit të konstituimit të Kuvendit.
Kurti tha se duhet pritur edhe përfundimi i takimeve të Presidentes me përfaqësuesit e partive të tjera, në mënyrë që të vlerësohet nëse është arritur përparim i mjaftueshëm./Raporto24/