Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka garanci që me votimin e fshehtë do të sigurojë 61 vota për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Kosovës.
Megjithatë, ai thekson se përderisa votimi i hapur nuk dha rezultat, duhet provuar edhe votimi i fshehtë si një mundësi për tejkalimin e ngërçit institucional.
Në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1, Kurti tha se mosprovimi i votimit të fshehtë do të ishte gabim dhe dëm, duke u bazuar në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014.
“Së pari, garanci nuk ka, nuk dimë me siguri që i kemi 61 vota, por duhet ta bëjmë votimin e hapur dhe nuk është mirë të paragjykojmë. E kërkuam zgjidhjen me votimin e hapur, por nuk u arrit. Le ta kërkojmë zgjidhjen me votimin e fshehtë.
Besoj se është gabim dhe dëm nëse nuk e provojmë, sepse Gjykata Kushtetuese në aktgjykimin e vitit 2014 ka thënë se të gjithë duhet të jenë në sallë, të votojnë për, kundër apo abstenim, dhe se votimi mund të jetë i hapur, i fshehtë apo në mënyra të tjera. Pra, e provuam votimin e hapur, nuk pati sukses, le ta provojmë edhe votimin e fshehtë,” tha Kurti.