No menu items!

Seanca konstituive pritet të vazhdojë njëjtë sot, një javë nga shpallja e aktgjykimit – partitë mendojnë ta pyesin sërish Gjykatën Kushtetuese

Deputetët do të mblidhen sërish në Kuvend sot, në një “përpjekje” të radhës, të 41-tën për konstituimin e Kuvendit.

Në seancën e cila që prej 15 prillit është ndërprerë çdo të dytën ditë, grupet kryesore parlamentare shkojnë me qëndrime të ndryshme lidhur me mënyrën dhe përgjegjësinë për konstituimin e Kuvendit. Situatën nuk e ka ndryshuar as një aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese i shpallur të një javë më parë, i cili i detyron deputetët ta konstituojnë Kuvendin. Ajo vendosi se deputetët duhet ta përfundojnë seancën konstituive brenda 30 ditëve, më së largu deri më 26 korrik.

Lëvizja Vetëvendosje thotë se aktgjykimi lejon edhe votim të mbyllur, gjë të cilën po vazhdon ta propozojë pa sukses në Kuvend çdo dy ditë. Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e thonë të kundërtën – se aktgjykimi konstatoi se votimi duhet të bëhet hapur.

Presidentja të mërkurën i ka takuar krerët e partive më të mëdha politike në vend për të diskutuar për konstituimin e Kuvendit dhe sot do të zhvillojë takime edhe me kryetarët e partive të tjera më të vogla.

Vjosa Osmani ka kërkuar që “në frymën e bashkëpunimit dhe mirëbesimit, si dhe në dobi të interesit qytetar dhe shtetëror, sa më shpejt, por gjithsesi brenda afatit 30-ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, të arrihet një pajtim rreth rrugës përpara për konstituimin e Kuvendit”, sipas një komunikate.

Kryetari LVV-së tha se do të bëjnë “çmos” që “në frymën e bashkëpunimit” të arrihet kjo.

“Afatet po rrjedhin. Në javën e fundit të korrikut duhet që ta kemi konstituimin e legjislaturës së re”, tha Albin Kurti pas takimit në Presidencë.

Kryetari i PDK-së tha se i takon Osmanit nëse do t’i drejtohet apo jo Gjykatës Kushtetuese për një interpretim. Por shtoi se ata e kanë gati një lëndë për ta dërguar atje, lidhur me “shkeljet kushtetuese të cilat janë bërë në mënyrë të qëllimshme dhe të vetëdijshme në dy seancat e kaluara, e që mund të ndodhë përsëri nesër nëse nuk ndërron qasja e kryesuesit të seancës dhe grupit më të madh parlamentar, të Lëvizjes Vetëvendosje” pas akrgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.

Memli Krasniqi tha se “aktgjykimi e ka bërë të palejueshëm ndryshimin e mënyrës së votimit në mes të procesit, sepse e ka bërë të palejueshëm ndryshimin e rendit të ditës”.

Duke iu përgjigjur Kurtit, ai tha se për konstituimin e Kuvendit “nuk kemi pse të presim afatin kushtetues 30-ditor për konstituimin e Kuvendit – mund dhe duhet ta bëjmë qysh nesër, në mënyrën e duhur”.

Për kryetarin e LDK-së, “ka ndodhur një përmbysje e rendit kushtetues sepse partia e parë ka refuzuar të respektojë Gjykatën Kushtetuese”.

Lumir Abdixhiku paralajmëroi gjithashtu se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për një interpretim të këtij aktgjykimi.

“Tani duhet të zbatojmë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, përndryshe bëjmë shkelje të rënda ligjore. Dhe natyrisht LDK do t’i drejtohet edhe Kushtetueses në mënyre që ajo të qartësojë aktin e tanishëm”, tha ai.

Shefja e grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari Lila, paralajmëroi të martën se edhe ata do të kërkojnë interpretim nga Gjykata Kushtetuese për “mospjesmarrjen në votim të deputetëve të partive tjera shqiptare”.

“Është e qartë se nuk e kemi leximin e njëjtë të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. Gjithashtu është e qartë që jo që i ka sqaruar, por i ka komplikuar rrethanat një interpretim i tillë”, tha ajo. Kësisoj, ajo konsideroi se është “e domosdoshme” t’i drejtohen Kushtetueses.

Në një intervistë për Gazetën Express të dilelën, ish-Kryetari i Gjykatës kushtetuese, Enver Hasani ka theksuar aktgjykimi i fundit i Kushtetueses “është i ndrojtur dhe nuk i ka shkuar deri në fund zgjidhjes së ngërçit”.

Ai ka thënë se “opozita” ka bazë për të dërguar lëndë të re dhe se Kushtetetueses me këtë rast do t’i duhej ta përmirësojë veten.

“Për rrjedhojë, çdo vendim tjetër për të njëjtën çështje e vë në siklet Gjykatën Kushtetuese, sepse do të duhej të korrigjojë vetveten brenda një afati të shkurtër”, ka thënë Hasani.

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU

Raporto24
Përmbledhje e privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të shfletimit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat pjesë të faqes ju duken më interesante dhe të dobishme.