Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar sot në Gjykatën Kushtetuese kërkesën zyrtare për vlerësimin e kushtetutshmërisë së veprimeve të ndërmarra gjatë seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës të mbajtur më 29 qershor dhe vazhdimeve të saj më 1 dhe 3 korrik 2025.
Kjo kërkesë, e paraqitur në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së, konteston:
Kërkesën për propozime për anëtarë të Komisionit për Votim të Fshehtë;Hedhjen në votim të këtij Komisioni;Vetë votimin e Komisionit;Ndërprerjen arbitrare të seancës pas mosmiratimit të Komisionit.
“Të gjitha këto veprime janë ndërmarrë në kundërshtim të hapur me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, i cili ka krijuar një gjendje të re juridike dhe ka përcaktuar qartë rrjedhën kushtetuese që duhet ndjekur për konstituimin e Kuvendit”, thuhet në njoftimin e PDK-së, transmeton klankosova.tv.
Në kërkesën e dorëzuar, PDK ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese që:
Të shpallë antikushtetues vendimin për votimin e Komisionit për Votim të Fshehtë;Të shpallë antikushtetues vendimin për ndërprerjen e seancës konstituive;Të urdhërojë Kuvendin që ta vazhdojë seancën konstituive deri në përfundimin e saj me zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, përmes votimit të hapur dhe transparent, ashtu siç e kërkon Kushtetuta dhe praktika parlamentare.
“Ky hap është thelbësor për të ndalur tendencën për përmbysje të rendit demokratik dhe për të garantuar që asnjë shumicë e përkohshme parlamentare të mos e vë veten mbi Kushtetutën. Partia Demokratike e Kosovës mbetet e vendosur në mbrojtje të ligjshmërisë, demokracisë dhe rendit kushtetues në Republikën e Kosovës”./Indeksonline/