No menu items!

Sot për të 42-tën herë me radhë tentohet të konstituohet Kuvendi i Kosovës

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sërish sot nga ora 11:00 për të 42-tën herë me radhë në përpjekje për ta konstituuar legjislaturën e nëntë të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.

Edhe pas aktgjykimit që nxori Gjykata Kushtetuese, në Kuvend sërish vazhdoi skenari i njëjtë meqë partitë politike po e lexojnë ndryshe aktgjykimin.

Lëvizja Vetëvendosje po insiston se votimi i fshehtë – përmes të cilit synon që kandidatja e tyre për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, e cila dështoi të merrte votat e nevojshme në votim të hapur – nuk është antikushtetues.

Për partitë tjera kjo s’është e pranueshme meqë thonë se aktgjykimi i fundit i Kushtetueses e bën të qartë se kryeparlamentari duhet të zgjidhet sipas praktikave të deritanishme parlamentare – me votim të hapur.

Për këtë çështje dje është deklaruar edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani, e cila tha se pajtohet me ekipin e saj ligjor se votimi i fshehtë lejohet, por se për këtë duhet të ketë konsensus nga deputetët.

“Konstatimi i ekipit tim ligjor me të cilin unë pajtohem është që nëse lexohet në tërësi aktgjykimi votimi i fshehtë nuk përjashtohet si mundësi, megjithatë për të kërkohet konsensusi i deputetëve. Kjo nënkupton që duhet të ketë votë, duhet të ketë vendim të seancës, para se të shkohet te një mënyrë e tillë”, tha ajo, e cila shtoi se “duhet të pyeten” deputetët.

Ditët e fundit, Osmani thirri edhe takime të ndara me liderë të partive politike në përpjekje për të dalë nga kriza institucionale, megjithatë ato s’dhanë rezultat.

Ndërkohë, PDK dhe LDK për bllokadën e re në Kuvend kanë dërguar edhe dy kërkesa në Gjykatën Kushtetuese. Të dyja po kërkojnë që të shpallen antikushtetuese veprimet e Avni Deharit dhe të konstituohet Kuvendi sipas rendit të ditës.

LDK-ja iu drejtua dje Kushtetueses për sqarim dhe tha se beson se vazhdimet e fundit të seancës konstituive janë bërë “në kundërshtim të plotë” me Kushtetutën e Kosovës dhe me konstatimet e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese nga 26 qershori.

Një ditë më parë, pas dështimit të 41-të, PDK i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese t’i vlerësojë “shkeljet” në seancën konstituive.

Të dyja këto parti e akuzojnë Deharin për ndryshim arbitrar të rendit të ditës me instruksione të partisë së tij, Lëvizjes Vetëvendosje./Raporto24/

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU

Raporto24
Përmbledhje e privatësisë

Kjo faqe përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të shfletimit. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si t'ju njohë kur ktheheni në faqen tonë dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat pjesë të faqes ju duken më interesante dhe të dobishme.