Deputetët e zgjedhur të Kuvendit nuk kanë zgjedhur kryeparlamentarin as në tentimin e 42-të. Vetëm 39 kanë votuar pro komisionit për votim të fshehtë për të zgjedhur kryeparlamentarin dhe seanca tani do të vazhdojë pas dy ditësh.
Dallimi këtë herë ishte se votimi u bë në një seancë të mbajtur në mbrëmje. Seanca e paraparë për paraditen e së shtunës, por u shty për shkak të një alarmi të rremë për bombë.
Në këtë seancë, kryesuesi Avni Dehari ua ndali fjalimet Ganimete Musliut të PDK-së dhe Jehona Lushakut të LDK-së, që kërkonin rikthim në votim të hapur.
Pas seancës, Hekuran Murati i Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë se votimi i fshehtë nuk është antikushtetues e as nuk ka ndryshim të rendit të ditës.
Nga partitë tjera nuk u deklaruan, ndërsa kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, në Facebook shkroi që uron që Kushtetuesja ta rrëzojë sa më shpejt votimin e fshehtë.
Nga 15 prilli, deputetët e zgjedhur janë mbledhur çdo dy ditë, por kanë dështuar për ta konstituuar Kuvendin. Fillimisht Lëvizja Vetëvendosje, si parti fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, propozoi emrin e Albulena Haxhiut dhe nuk e mori shumicën, e më pas kërkoi që të ndryshohet mënyra e votimit, duke kaluar në votim të fshehtë.