Një 27 vjeçar ka vdekur në rrethana të dyshimta në Lipjan menjëherë pasi i njëjti ishte arrestuar nga Policia.
Periskopi ka kontaktuar me vëllain e të ndjerit, ku ka thënë se janë tronditur pas pamjeve të publikuara në internet gjatë arrestimit të vëllait të tij.
“Videot që i pamë në internet para pak kohe, na tronditën. Edhe neve po na u duket si rast i dyshimtë.
I thirra ata të autopsisë më thanë nuk mundemi me ua dërgu edhe për disa ditë raportin. Jam tu e pritë avokatin edhe me shku drejt në autopsi tash”, tha vëllai i të ndjerit për Periskopin
Tutje ai deklaroi se Agoni ka qenë shumë i dashur për të gjithë, megjithatë nuk mund të paragjykojë se çka ka mundur të ndodhë në momentin kur Policia e ka arrestuar.
“Agoni ka qenë shumë i dashur për krejt neve, nuk e di, s’mundem me paragjyku për në atë moment se çka ka ndodhë”, përfundoi ai.
Sipas Policisë, Agon Zejnullahu fillimisht kishte sulmuar kalimatarët në rrugë derisa ishte nën ndikimin e alkoolit, ndërsa kur reaguan për ta vënë situatën nën kontroll [Policia]ftuan edhe ekipin mjekësor për t’i ofruar ndihmën e parë.
Sot, rreth orës 00:15, Policia ka pranuar informacionin se një person, që dyshohej të ishte nën ndikimin e alkoolit, po sulmonte automjete dhe kalimtarë në rrugën “Haradin Bajrami” në Lipjan. Njësitë policore kanë reaguar menjëherë për të vënë situatën nën kontroll, ndërsa në vendngjarje është thirrur edhe ekipi mjekësor emergjent, i cili i ka ofruar ndihmën e parë personit në fjalë. Përkundër përpjekjeve, është konstatuar se ai kishte ndërruar jetë. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante hetimore dhe Prokurori për Krime të Rënda. Janë ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore për ndriçimin e rastit, përfshirë sigurimin e provave materiale dhe intervistimin e dëshmitarëve. Me vendim të Prokurorit të Shtetit, është iniciuar hetim penal lidhur me rastin, ndërsa trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion. Aktualisht policia po vijon hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, tha Agon Borovci.
Vdes një person në Lipjan, pasi sulmoi me automjet kalimtarët