Pas pesë vitesh pritje, rikthehet një nga treshet më të përfolura të skenës muzikore shqiptare. Tayna, MC Kresha dhe Lyrical Son publikojnë sonte në orën 20:00 bashkëpunimin e tyre më të ri, të titulluar “Tint”.
Ky është bashkëpunimi i dytë i tyre, pas suksesit të madh me këngën “Pasite” në vitin 2020, e cila deri më tani ka mbledhur mbi 55 milionë shikime në YouTube, duke u kthyer në një hit të padiskutueshëm të verës.
Lajmi për rikthimin u konfirmua disa ditë më parë nga vetë Lyrical Son gjatë një interviste për “Prive”, duke rritur entuziazmin dhe pritshmëritë mes fansave.
Sonte, pritjes i vjen fundi. Me një titull të drejtpërdrejtë dhe një treshe të fuqishme, “Tint” pritet të sjellë ritme që nuk kalojnë pa u vënë re. Tayna vazhdon të dëshmojë se nuk ndalet, duke sjellë projekte të mëdha dhe bashkëpunime që lënë gjurmë në tregun muzikor./Raporto24/