Janë ndaluar pesë zyrtarët policorë me urdhër të Prokurorit të Shtetit, suspendimin e të cilëve e kërkoi Inspektorati Policor i Kosovës.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka lëshuar urdhrin për këtë masë, nën dyshimet se të njëjtit kanë kryer veprën penale “Vrasje nga pakujdesia”, gjatë arrestimit të Agon Zejnullahut.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se të suspenduarit janë: Ibrahim Nela – Rreshter në Stacionin Policor Lipjan – DRP Prishtinë, Artidon Konxheli – Zyrtar në SP Lipja, Liridon Rrahmani – Zyrtar në SP Lipjan, Albian Ratkoceri – Zyrtar në SP Lipjan, Endrit Beqiri – Zyrtar në Stacionin Policor Ferizaj – DRP Ferizaj.
Vendimi për suspendim është marrë pas vlerësimit të veprimeve të ndërmarra nga zyrtarët në menaxhimin e rastit, i cili po trajtohet tashmë nga njësitë kompetente dhe Prokuroria.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.