E diela nisi me një raportim ekskluziv nga Prive by Liberta Spahiu. Burime të sigurta konfirmuan se një ditë më parë, Noizy ishte parashikuar të performonte në klubin Rinora 4 në Zvicër, por ai u arrestua menjëherë sapo zbriti në aeroportin e Zyrihut.
Reperi, sipas burimeve pranë tij, nuk ka qenë në dijeni se çështja e konfliktit me Medin ishte denoncuar tek autoritetet zvicerane nga pala tjetër.
Por çfarë thotë ligji në Zvicër për raste të tilla? Në një prononcim ekskluziv për Prive, avokati i njohur zviceran André Kuhn sqaroi rreziqet ligjore me të cilat mund të përballet artisti shqiptar.
“Për aq sa dihet, atëherë viktima është sulmuar njëkohësisht nga disa të dyshuar. Një sulm i tillë në Zvicër mund të dënohet ose me një gjobë, ose me burgim deri në pesë vjet,” — deklaroi Kuhn.
Duke qenë se incidenti ka ndodhur në Kosovë, lind pyetja: A mund ta ndjekë penalisht Zvicra Noizyn për një vepër të kryer jashtë territorit të saj? Si funksionon juridiksioni ndërkombëtar në një rast të tillë?
“Është e mundur që i dyshuari të jetë shpallur në kërkim nga autoritetet kosovare. Në këtë rast, Kosova mbetet përgjegjëse për ndjekjen penale dhe mund t’i kërkojë Zvicrës ekstradimin. Nëse nuk realizohet ekstradimi, ligji zviceran parashikon që në raste të caktuara një gjykatë zvicerane mund të dënojë për vepra të kryera jashtë vendit,” — sqaroi avokati, duke iu referuar nenit 7 të Kodit Penal Zviceran.
Ai shtoi gjithashtu se:
“Dënimi varet, ndër të tjera, edhe nga fakti nëse dikush ka kryer më parë vepra penale. Kush e përsërit të njëjtën vepër, dënohet ndjeshëm më ashpër.”
Në këtë situatë, karriera ndërkombëtare e Noizyt mund të përballet me pasoja serioze. Koncertet në Zvicër, që deri më sot kanë qenë pjesë e pandashme e turneve të tij, mund të i përkasin të kaluarës për një kohë të gjatë — për të mos thënë, përgjithmonë.
Detajet e tjera ekskluzive i gjeni në videon e mëposhtme. /Prive By Liberta Spahiu