Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas vdekjes së një 27-vjeçari, për të cilën dyshohet se ka ndodhur gjatë ndërhyrjes së policisë. Ajo ka kërkuar transparencë të plotë, përgjegjësi institucionale dhe drejtësi të pakompromis në trajtimin e këtij rasti.
“Ngjarja e rëndë dhe tronditëse e vdekjes së një të riu 27-vjeçar, rreth së cilës ekzistojnë dyshime serioze se ka ndodhur gjatë ndërhyrjes së policisë, kërkon urgjentisht transparencë të plotë, përgjegjësi institucionale dhe drejtësi të pakompromis,” ka shkruar Zyra e Presidentes në Facebook.
Osmani thekson se të gjitha rrethanat e rastit duhet të hetohen menjëherë, në mënyrë të pavarur dhe profesionale, ndërsa çdo zyrtar që ka shkelur ligjin apo tejkaluar kompetencat duhet të vihet para drejtësisë pa asnjë vonesë.
“Askush nuk është mbi ligjin,” përfundon reagimi i saj./Raporto24/