Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka marrë vendim lidhur me kontestimin e bërë nga Avokati i Popullit për ndryshimet dhe plotësimet në Ligjin për Skemat Pensionale të financuara nga shteti, duke konstatuar se ato nuk janë në kundërshtim me Kushtetutën.
Avokati i Popullit kishte ngritur tri çështje kryesore që lidhen me këtë ligj: nëse përmbajtja e tij shkakton pabarazi dhe diskriminim; nëse është hequr padrejtësisht kriteri i 15 viteve stazh për qytetarët e larguar nga puna për shkak të masave të dhunshme; dhe nëse skema e re e quajtur “pensioni parcial kontributpagues i moshës” përbën një skemë të re pensionale.
Ndryshimet në ligj parashohin që të gjithë qytetarët që para datës 1 janar 1999 nuk kanë arritur stazh prej 15 vjetësh për shkak të largimit nga puna si pasojë e masave të dhunshme, mund të përfshihen në skemën e re të pensionit parcial kontributpagues të moshës.
Gjykata ka vlerësuar se nuk ka diskriminim dhe se dispozitat janë në harmoni me Kushtetutën.
“Gjykata vlerësoi se mënyra e përcaktimit të pensioneve përmes skemës parciale kontributpaguese të moshës përmes nenit 4 të Ligjit të kontestuar, ua njeh përvojën e punës dhe kontributet pensionale, pa dallim, të gjithë punëtorëve të dëbuar dhunshëm nga puna përgjatë viteve 1989-1999, duke shmangur kësisoj çfarëdo forme të diskriminimit dhe të trajtimit të pabarabartë midis grupeve, në lidhje me të drejtën e tyre për realizimin e pensionit kontributpagues të moshës. Gjykata vlerësoi që zgjidhja e përcaktuar përmes Ligjit të kontestuar, paraqet një ekuilibër të drejtë mes qëllimit legjitim të mbrojtjes së interesit publik dhe të drejtave dhe lirive themelore të individit”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.