Armand Duka: Nuk e dua përballjen me Kosovën në ndeshjen e ‘Play-off’-it

Presidenti i Federatës së Futbollit, Armand Duka, dha një intervistë në emisionin “Opinion” në TV Klan, me gazetarin Blendi Fevziu, ku foli për fitoren historike ndaj Serbisë, rrugëtimin e Kombëtares drejt Botërorit 2026 dhe ndeshjen miqësore të sotme ndaj Jordanisë në “Air Albania”.

Gjatë intervistës, Presidenti Duka ndau detaje mbi organizimin e ndeshjes në Serbi, reagimin e drejtuesve të federatës serbe pas përfundimit të takimit, si dhe sqaroi situatën e kartonit të verdhë ndaj sulmuesit Rey Manaj.

Kreu i qeverisë së futbollit shqiptar theksoi se fitorja ndaj Serbisë është një moment i rëndësishëm për futbollin shqiptar, por shtoi se ekipi duhet të vazhdojë me përqendrim maksimal drejt ndeshjeve të radhës, me objektivin për të siguruar fazën play-off dhe për të luftuar deri në fund për Kupën e Botës 2026.

Çfarë thanë drejtuesit e Federatës Serbe në përfundim të ndeshjes? – Kur më thua që mbaroi një kapitull dhe jemi në garë, më duket sikur kjo ishte një gjë shumë e lehtë dhe do ta arrinim, që do të fitonim me Serbinë dhe duhet të mendojmë më tej. Ka nga ato që mendojnë që mjafton që fituam me Serbinë dhe nuk duam të shkojmë në Botëror. Por, faktikisht, ne duam të shkojmë në Botëror, duam shumë. Por edhe ato që e kanë thënë, e kanë thënë në momente emocionale. Tani ne duhet të vazhdojmë dhe të shohim përpara. Unë kam biseduar me drejtuesit e federatës dhe me ish-trajnerin e Serbisë, i cili më tha që ju e merituat dhe nuk ka asgjë për të ardhur keq, sepse ne nuk meritonim të fitonim. Ishin të qartë për atë që u paraqit në fushë, që ekipi ynë i meritoi tre pikët në të gjitha këndvështrimet. Futbolli kështu është.

Po Presidenti i Federatës Serbe? – Padyshim që u mërzit. Unë nuk besoj që ka ndonjë tifoz që nuk është mërzitur nga ata që mbështesin Serbinë, dhe aq më shumë një drejtues federate, apo një legjendë e futbollit ish-Jugosllavisë.

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU