Zyrih, Zvicër – Talentja e re e futbollit zviceran, Liana Murati (15 vjeç, e lindur më 24 janar 2010), ka bërë hapin e madh drejt futbollit elitar të femrave, duke kaluar në ekipin e parë të femrave të FC Zürich, që garon në AXA Women’s Super League (AWSL).

Murati konsiderohet një nga talentet më premtuese të futbollit zviceran. Ajo ka filluar të luajë futboll që në moshën 6-vjeçare dhe në moshën 7 vjeçare u bë pjesë e akademisë së FC Zürich. Pika e saj e veçantë: deri tani, Liana ka luajtur ekskluzivisht me djemtë, gjithmonë në ekipet më të forta të moshave të klubit. Në sezonin 2025/26, ajo ishte pjesë e ekipit U15 të djemve, ku përballë lojtarëve më të mëdhenj dhe fizikisht më të fortë tregoi nivel të lartë teknik, inteligjencë loje dhe pjekuri futbollistike.
Paralelisht, Liana është pjesë e përzgjedhjes së Zvicrës U16, me paraqitje në ndeshje ndërkombëtare, duke treguar se është një nga lojtarët më premtues të kombëtares së re.
Kalimi në ekipin e parë të femrave shënon një hap të rëndësishëm në karrierën e Muratit dhe hap rrugën drejt futbollit profesionist në nivel elitar në Zvicër, duke i dhënë mundësinë të përballet me më të mirat e ligës më të lartë zvicerane të femrave.
Profil Futbolli – Liana Murati
Emri: Liana Murati
Data e lindjes: 24.01.2010
Pozicioni: Mesfushore
Klubi: FC Zürich
Kombëtarja: Zvicra U16(SFV) 







