Ylli i Sunderlandit me fjalë të mëdha për Granit Xhakën: Ai është një lider dhe lojtar shumë i veçantë

Futbollisti i Sunderlandit, Luke O’Nien, ka folur hapur për përvojën e tij duke punuar krah për krah me Granit Xhakën, duke pranuar se prania e mesfushorit kosovar ka pasur një ndikim të madh si në zhvillimin e tij si lojtar, ashtu edhe si lider brenda skuadrës.

O’Nien i bëri këto deklarata pas fitores së Sunderlandit ndaj Evertonit në FA Cup, duke u ndalur te përgjegjësitë që ka marrë këtë sezon dhe te roli i Xhakës prapa skenave.

Ai përmendi veçanërisht një moment nga përballja e fundit në Ligën Premier ndaj Newcastle United, kur iu drejtua skuadrës para ndeshjes, ndërsa Xhaka, me qëllim, u tërhoq një hap mbrapa.

“Të jem i sinqertë, kjo do të thoshte gjithçka për mua”, tha O’Nien kur u pyet për gjestin e Xhakës para ndeshjes në ‘Stadium of Light’, të cilën Sunderlandi e fitoi 1-0 falë një autogoli spektakolar të Nick Woltemade.

“Ai është një nga, në mos lideri më i mirë në futboll dhe ai ma dha mua këtë nder. Sinqerisht, nuk do të mund ta përshkruaj me fjalë se sa shumë do të thotë kjo për mua”, shtoi ai.

O’Nien vlerësoi lart edhe cilësitë personale dhe profesionale të Xhakës, duke theksuar ndikimin e tij të vazhdueshëm në ekip.

Ai është një lojtar i veçantë. Ndonjëherë e gjej veten duke mos besuar që është ende këtu dhe që po e çon klubin përpara në kaq shumë mënyra”.

“Bisedat që bën, mënyra se si sillet, edhe para ndeshjes së sotme, më tregonte çfarë është e rëndësishme, çfarë të kërkoj dhe çfarë të bëj”.

“Është një person shumë i lehtë për t’u komunikuar, qoftë për futbollin, familjen, të kaluarën apo të ardhmen. Ai është thjesht një njeri shumë i mirë”.

Në fund, mesfushori i Sunderlandit theksoi se ambienti i krijuar nga figura me përvojë si Granit Xhaka po ndihmon në rritjen e standardeve brenda skuadrës, pavarësisht minutazhit individual të secilit lojtar në fushë.

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU