Kryetari i Unionit të Klubeve Shqiptare të Futbollit në Zvicër (UKSHFZ), z. Feti Demoli, së bashku me kryesinë e këtij unioni, shpreh mbështetjen e plotë dhe të parezervë për rizgjedhjen e z. Agim Ademi në postin e kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK).
Më 5 shkurt 2026, delegatët e Federatës së Futbollit të Kosovës do të mbajnë Kuvendin Zgjedhor, i cili, në përputhje me rregulloren dhe statutin e FFK-së, do të marrë vendime për zgjedhjen e kryetarit dhe kryesisë së re. Kandidat për kryetar në këtë proces zgjedhor është edhe kryetari aktual i FFK-së, z. Agim Ademi.
Kryesia e UKSHFZ-së vlerëson lartë punën dhe angazhimin e z. Ademi, duke e cilësuar atë si një drejtues me virtyte të larta njerëzore dhe me suksese të dëshmuara në arenën ndërkombëtare, veçanërisht në organizimin dhe avancimin e futbollit dhe klubeve në Kosovë.
Pas konsultimeve me kryesinë e ngushtë, kryetari i UKSHFZ-së, z. Feti Demoli, theksoi se përparimi i shpejtë i Kombëtares së Kosovës në vitet e fundit është dëshmi e qartë e punës serioze dhe vizionit të udhëheqjes aktuale të FFK-së. Sipas tij, këto suksese duhet të merren parasysh dhe për këtë arsye UKSHFZ i jep mbështetje të plotë z. Agim Ademi për një mandat të ri si kryetar i FFK-së.
Z. Demoli gjithashtu nënvizoi rëndësinë që opinioni publik, në Kosovë dhe në diasporë, të informohet më gjerësisht për punën dhe angazhimin e kryesisë së FFK-së. Sipas tij, puna e bërë gjatë këtyre viteve duhet të shërbejë si shembull për unifikimin dhe afrimin e shqiptarëve të mërgatës me vendlindjen, në veçanti në fushën e futbollit, si për futbollistët ashtu edhe për klubet brenda dhe jashtë Kosovës./Raporto24/






