A do të luajë Lionel Messi në Kupën e Botës 2026?

Kombëtarja e Argjentinës është kampione në fuqi pasi fitoi Kupën e Botës në vitin 2022 dhe skuadra e drejtuar nga Lionel Scaloni konsiderohet sërish ndër favoritët kryesorë për të triumfuar në turneun që do të zhvillohet këtë verë në Amerikën e Veriut.

Megjithatë, “La Albiceleste” mund të detyrohet ta mbrojë titullin pa yllin e saj kryesor, Lionel Messi.

Aktualisht, mbetet e paqartë nëse sulmuesi i Inter Miami – i konsideruar gjerësisht si lojtari më i mirë i të gjitha kohërave – do të jetë pjesë e Kupës së Botës, duke lënë tifozët në pritje të një vendimi përfundimtar ndërsa turneu po afrohet.

Gjendja aktuale dhe deklaratat e Scalonit

Lionel Messi luajti në të dyja miqësoret e fundit të Argjentinës, ndaj Mauritanisë më 27 mars dhe Zambisë më 1 prill, duke shënuar në këtë të fundit në fitoren bindëse 5-0.

Pas ndeshjes me Zambian, Scaloni dha një përditësim pozitiv, por pa konfirmuar asgjë:

Do të ishte privilegj nëse Leo vendos të luajë në Kupën e Botës. Ne duam që ai ta shijojë këtë eksperiencë dhe po e ndihmojmë të ndihet mirë. Ai dëshiron të njëjtën gjë si ne – tani është më i qetë sepse e ka fituar tashmë një herë”.

“Dëshira e tij për të qenë aty ekziston. Do të shohim çfarë vendos ai dhe ne do ta mbështesim”.

“Do të bëj gjithçka që të jetë aty. Për të mirën e futbollit, ai duhet të jetë aty. Të gjithë argjentinasit duan ta shohin – dhe edhe pjesa tjetër e botës”.

Çfarë ka thënë Messi për Kupën e Botës 2026

Lionel Messi, i cili ka luajtur në pesë Kupa Bote dhe mban rekordin për më shumë paraqitje (26), nuk ka dhënë ende një përgjigje përfundimtare.

Në tetor 2025 ai deklaroi: “Është diçka e jashtëzakonshme të jesh pjesë e një Kupe Bote dhe do të doja të isha aty. Dua të jem pjesë, të ndihem mirë dhe të ndihmoj ekipin nëse mundem”.

“Do ta marr ditë pas dite kur të nis përgatitjet me Inter Miami dhe do të shoh nëse mund të arrij 100 për qind dhe nëse mund të kontribuoj ende. Pastaj do të vendos. Jam shumë i emocionuar sepse është Kupë Bote. Ne vijmë si kampionë dhe mundësia për ta mbrojtur titullin është e jashtëzakonshme”.

Që nga ajo kohë, ai nuk ka konfirmuar asgjë, por pas fitores ndaj Zambias publikoi një foto me fanellën e kombëtares me mbishkrimin “Argjentina gjithmonë”, duke shtuar spekulimet për pjesëmarrjen e tij.

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU