​Begaj për aksidentin tragjik në Durrës: Jeta dhe siguria e qytetarëve është e shenjtë

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka reaguar pas aksidentit tragjik të ndodhur në Durrës, ku humbën jetën dy fëmijë të mitur dhe një tjetër mbeti i plagosur rëndë.

Përmes një mesazhi publik, Kreu i Shtetit u shpreh thellësisht i tronditur për ngjarjen e rëndë, duke shprehur dhimbjen dhe solidaritetin me familjet e viktimave.

“I tronditur thellë për aksidentin e tmerrshëm në Durrës, ku humbën jetën dy vogëlushë dhe një tjetër u plagos shumë rëndë. Lutem me përunjësi për shpirtrat e tyre,” u shpreh Begaj.

Ai u ka përcjellë ngushëllimet më të sinqerta prindërve dhe familjarëve të viktimave, ndërsa ka uruar shërim të shpejtë për fëmijën e plagosur që ndodhet në spital.

Presidenti Begaj theksoi gjithashtu nevojën për rritjen e sigurisë rrugore dhe kërkoi nga institucionet përgjegjëse një hetim të plotë të ngjarjes.

“Institucionet përgjegjëse të marrin masa për rritjen e sigurisë në qarkullim, të bëjnë një hetim shterues për ngjarjen dhe qytetarët të rrisin përgjegjshmërinë për zbatimin e ligjit. Jeta dhe siguria e qytetarëve është e shenjtë,” përfundoi ai.

Një aksident i rëndë është regjistruar pasditen e sotme në Durrës, ku dy të mitur kanë humbur jetën, ndërsa një tjetër ndodhet në gjendje të rëndë.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:20 në lagjen nr. 15, ku një automjet i drejtuar nga shtetasi N. R., rreth 57 vjeç, ka përplasur tre fëmijë të moshës rreth 10 vjeç.

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU