Me një atmosferë të mbushur me përzemërsi dhe emocione të thella, janë mbajtur aktivitetet përkujtimore “Ditët e Agimit 2026”, kushtuar jetës dhe veprës së heroit të kombit, Agim Ramadani.
Bashkëshortja e heroit, Shukrije Ramadani, përmes një mesazhi falënderues shprehu mirënjohjen e saj të sinqertë për të gjithë pjesëmarrësit që i dhanë kësaj ngjarjeje shpirt, dritë dhe një kuptim të veçantë.
Aktivitetet u karakterizuan nga momente domethënëse, duke nisur nga zbulimi i muralit artistik, dhuratë nga Ukë Salihu, ngritja madhështore e flamurit të UÇK-së, e deri te tubimi qendror “I këndojmë Agimit”, ku qytetarë, veteranë dhe personalitete u bashkuan për të nderuar figurën e heroit me mall dhe krenari.

Në këtë përvjetor të rëndësishëm morën pjesë figura të larta institucionale dhe politike, përfshirë zëvendëskryeministren Donika Gërvalla, ministrin Andin Hoti, kryetarin e Gjilanit Alban Hyseni dhe kryetarin e LDK-së Lumir Abdixhiku. Po ashtu, të pranishëm ishin edhe personalitete të njohura si Rustem Berisha, Anton Çuni, Xhafer Gashi, Musa Gjakova, Fadil Hadergjonaj, Bahri Gashi dhe Agron Jusufi, së bashku me bashkëluftëtarë, veteranë dhe përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta.
Ngjarja u pasurua edhe nga kontributi artistik i emrave të njohur si Shkurte Fejza, Hysni Klinaku, Ismet Bexheti dhe Gold AG, si dhe nga Shoqata “Karadaku” dhe shumë përfaqësues të kulturës, sportit dhe institucioneve vendore e qendrore.
Një rol të veçantë në organizim pati Shoqata e fshatit, e cila tash e 27 vite me radhë, me përkushtim të jashtëzakonshëm, kujdeset për ruajtjen dhe vazhdimësinë e këtij përkujtimi, duke e mbajtur gjallë amanetin e heroit brez pas brezi.
Në përmbyllje të mesazhit të saj, Shukrije Ramadani theksoi se nderimi për Agim Ramadanin mbetet i përjetshëm:
“Agimi ka vetëm ditëlindje… dhe përmes jush, ai jeton gjithmonë – i gjallë në kujtim dhe i pavdekshëm në zemrat tona.”
Ky përvjetor shënoi 63-vjetorin e lindjes së heroit, duke rikujtuar se figura e tij vazhdon të mbetet simbol i sakrificës, lirisë dhe krenarisë kombëtare./Raporto24/






Shqipe Mehmeti Selimi për “Ditët e Agimit”: Nderim për Agim Ramadanin dhe dëshmorët





