Betim Abdullahu, asamblisti më i votuar për këshilltar komunal nga Lista e Lidhjes së Prishtinës, ka vendosur të ndajë rrugët me këtë subjekt dhe të vazhdojë veprimtarinë si i pavarur në Kuvendin Komunal të Prishtinës.
Në një status të publikuar në Facebook, Abdullahu ka bërë të ditur se ky vendim vjen si pasojë e mospajtimeve lidhur me funksionimin brenda Grupit të Këshilltarëve Komunalë, si dhe pakënaqësive me politikat e ndjekura nga kjo listë.
Statusi i plotë:
“Unë, Betim Abdullahu, si kandidati më i votuar për këshilltar komunal nga Lista e Lidhjes së Prishtinës në Zgjedhjet Lokale 2025, ju njoftoj se aktivitetin tim politik do ta vazhdoj si i pavarur në Kuvendin Komunal të Prishtinës.
Për shkak të mospajtimeve rreth funksionimit në kuadër të Grupit të Këshilltarëve Komunalë dhe pakënaqësive me politikat që ka zbatuar kjo listë, nga momenti i marrjes së mandatit e deri më tani, jam i detyruar ta ndërmarr këtë hap.
Në forumin e demokracisë lokale, në Kuvendin e Komunës së Prishtinës, aty ku jam zgjedhur me votën e qytetarëve të Prishtinës, do të flasim për të gjitha çështjet dhe detajet.
Falënderoj kandidatët e tjerë nga kjo listë për bashkëpunimin e deritanishëm.
Na priftë e mbara në punë të mira për Kryeqytetin.”**/Raporto24/






