Në Mitrovicën e Veriut vendosen tabelat me emrat e rinj të rrugëve

Në hyrje të Mitrovicës së Veriut janë vendosur tabelat e para me emërtimet e reja të rrugëve, në kuadër të procesit të riemërtimit të 88 rrugëve në këtë komunë.

Ministrja në detyrë e Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, tha se vendimi është miratuar nga Kuvendi Komunal dhe se aktualisht po realizohet faza teknike e vendosjes së tabelave.

Pranë rrethrrotullimit në hyrje të Mitrovicës së Veriut janë vendosur tabela me emërtimet “Isa Boletini” dhe “Zoran Gjingjiq”, në kuadër të procesit të riemërtimit të rrugëve në këtë komunë.

Ministrja në detyrë e Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, deklaroi se gjithsej 88 rrugë në Mitrovicën e Veriut kanë marrë emra të rinj dhe se emërtimet janë zgjedhur në bashkëpunim me administratën e mëparshme komunale.

Sipas saj, komiteti përgjegjës ka punuar intensivisht për dy muaj për çështjen e emërtimit të rrugëve.

Është votuar në Kuvend dhe tani po i vendosim (emërtimet), sepse bëhet fjalë për një procedurë teknike”, deklaroi Pacolli.

E pyetur nga gazetarët për mungesën e kryetarit të Mitrovicës së Veriut, Milan Radojeviq, gjatë vendosjes së tabelave, Pacolli tha se projekti po realizohet nga Ministria e Planifikimit Hapësinor.

“Çfarëdo projekti që realizoj, e bëj si ministre dhe jo me komunën, sepse komuna tashmë e ka marrë këtë vendim”, tha ajo, duke shtuar se si ministre është e obliguar ta përfundojë pjesën teknike të punës.

Duke komentuar kritikat se vendimi për ndryshimin e emrave të rrugëve ishte marrë nga administrata e mëparshme komunale, e udhëhequr nga Erden Atiq, pa pjesëmarrjen e përfaqësuesve serbë, Pacolli tha se vendimi ishte marrë në përputhje me dëshirat e qytetarëve.

“Kuvendi ka respektuar dëshirat e qytetarëve të Mitrovicës së Veriut”, tha ajo, duke shtuar se “është e rëndësishme të respektohen dëshirat e çdo qytetari”.

“Ishte vendim i serbëve këtu që të mos marrin pjesë në zgjedhje dhe morën një kryetar shqiptar. Tani kanë një kryetar serb”, deklaroi Pacolli.

Ajo theksoi se banorët e Mitrovicës së Veriut kanë qenë të informuar për procesin e emërtimit të rrugëve.

“Njerëzit që jetojnë në Mitrovicë, këtu në Mitrovicën e Veriut, e dinë për projektin, kanë qenë të njoftuar. Kuvendi ka punuar për këtë vitin e kaluar së bashku me qytetarët e Mitrovicës së Veriut”, tha ajo.

Pacolli nënvizoi se ndër emrat e rinj të rrugëve gjenden edhe emra të shkrimtarëve, aktorëve dhe personaliteteve të tjera të njohura serbe.

Ajo mohoi gjithashtu pretendimet se vendosja e tabelave lidhet me fushatën zgjedhore.

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU