Asociacioni i Mediave të Pavarura Elektronike të Kosovës (AMPEK), ka shprehur shqetësim dhe ka kundërshtuar deklaratën e nënkryetares së Komisionit të Pavarur të Mediave, Drita Morina, e cila ka propozuar shqyrtimin e mundësisë së ndalimit të emisionit “Debat Plus” në RTV Dukagjini.
AMPEK e ka cilësuar këtë deklaratë si të papranueshme dhe në kundërshtim me parimet e një rregullatori të pavarur në një shoqëri demokratike, duke theksuar se ajo krijon precedent të rrezikshëm për lirinë e medias dhe debatin publik në Kosovë.
Sipas AMPEK, mediat nuk mund të mbahen përgjegjëse në mënyrë automatike për deklaratat e mysafirëve në studio, pasi një qasje e tillë rrezikon pluralizmin e mendimit dhe lirinë e shprehjes.
“AMPEK konsideron se një deklaratë e tillë është e papranueshme dhe në kundërshtim me parimet themelore mbi të cilat duhet të funksionojë një rregullator i pavarur i medias në një shoqëri demokratike. Vetë fakti që nga niveli drejtues i KPM-së përmendet mundësia e mbylljes ose ndalimit të një emisioni televiziv për shkak të deklaratave të një mysafiri në studio, përbën një precedent jashtëzakonisht të rrezikshëm për lirinë e medias dhe debatin publik në Kosovë”, thuhet në reagim.
Në reagim theksohet gjithashtu se shqetësuese mbetet fakti që deklarata është bërë në kontekstin e trajtimit të një ankese nga një përfaqësuese e Qeverisë në detyrë, gjë që sipas AMPEK krijon perceptim për ndërhyrje politike dhe dëmton besimin në pavarësinë e KPM-së.
AMPEK i ka bërë thirrje KPM-së që të distancohet nga çdo propozim për mbylljen e programeve mediale për shkak të deklaratave të të ftuarve dhe të riafirmojë përkushtimin ndaj lirisë së medias dhe standardeve demokratike.
Po ashtu, AMPEK u ka bërë thirrje institucioneve vendore dhe partnerëve ndërkombëtarë që të monitorojnë zhvillimet, duke paralajmëruar se deklarata të tilla mund të krijojnë klimë presioni dhe vetëcensure në media.
AMPEK ka theksuar se liria e medias mbrohet vetëm duke garantuar debat të lirë dhe pluralist, pa frikë nga ndërhyrjet institucionale që mund të çojnë në mbyllje emisionesh.


