KQZ përmbyll vlerësimin e votave me postë: Miratohen mbi 82 mijë pako, refuzohen rreth 3 mijë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përmbyllur procesin e vlerësimit të pakove me fletëvotime nga votimi përmes postës, ndërsa shumica dërrmuese e tyre janë aprovuar për t’iu nënshtruar procesit të numërimit.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur për Indeksonline se deri të dielën, më 14 qershor, në orën 17:00, janë vlerësuar gjithsej 85,790 pako të supozuara me fletëvotime nga diaspora.

“Nga fillimi i këtij procesi (9 qershor, ora 16:00) dhe deri në përfundim të tij, të dielën (14 qershor 2026, ora 17:00) në procesin e vlerësimit janë përfshirë 85,790 pako, prej të cilave janë aprovuar 82,809, ndërkaq janë refuzuar 2,981”, ka deklaruar Elezi.

Sipas tij, arsyeja kryesore e refuzimit të pakove ka qenë mungesa e dëftesës së regjistrimit, dokument që votuesit e regjistruar e marrin nga KQZ-ja.

“Arsyeja më e shprehur se përse janë refuzuar këto pako është sepse në 2,552 raste mungon dëftesa e regjistrimit, një dokument me të dhëna unike, që votuesi i regjistruar e pranon nga KQZ”, ka theksuar ai.

Elezi ka sqaruar se ndër arsyet tjera të refuzimit janë rastet kur në një pako janë përfshirë më shumë se një fletëvotim ose dokumente të më shumë se një personi, gjithsej 322 raste. Po ashtu, janë evidentuar 23 raste kur votuesit e kanë dërguar pakon nga një shtet tjetër nga ai ku ishin regjistruar, 32 raste kur në zarf është gjetur vetëm dëftesa e regjistrimit pa fletëvotim, pesë raste pa vulë apo pullë postare dhe një rast me fletëvotim të shtypur. Sipas KQZ-së, janë regjistruar edhe 46 zarfe të dërguara gabimisht.

Ndërkohë, procesi i numërimit të votave të diasporës po vazhdon në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.

“Deri më tani (e diel, 14 qershor 2026, ora 18:00) janë numëruar 60 kuti votimi, në të cilat janë vendosur zarfet me fletëvotime pas aprovimit të tyre nga shërbimi votues i KQZ-së”, ka bërë të ditur Elezi./Raporto24/

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU