Nga viktimë në të dyshuar: Policia gjen armë në veturën e të plagosurit në atentatin e Prishtinës, identifikohen edhe dy autorët e dyshuar

Detaje të reja kanë dalë nga rasti i rëndë i të shtënave me armë zjarri që tronditi Prishtinën mbrëmjen e 16 qershorit, ku një person mbeti i plagosur në shpinë.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se gjatë vazhdimit të hetimeve, Policia ka gjetur një armë zjarri edhe në veturën e personit që fillimisht po trajtohej vetëm si viktimë e rastit.

Bëhet fjalë për Shkëlqim Kastratin, i cili mbeti i plagosur nga të shtënat në rrugën “Jakup Ceraja” dhe më pas, gjatë largimit, humbi kontrollin mbi automjetin e tij luksoz Mercedes G-Class, duke dëmtuar disa vetura dhe murin e një shtëpie në rrugën “Feriz Guri”.

Gjatë ekzaminimit të automjetit, hetuesit kanë gjetur dhe sekuestruar një pistoletë me një karikator dhe 12 fishekë, çka ka bërë që Kastrati, përveç statusit të viktimës në rastin e tentim-vrasjes, të dyshohet edhe për veprat penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë”.

Ndërkohë, hetimet kanë sjellë zhvillime edhe në identifikimin e autorëve të dyshuar të sulmit.

Sinjali mëson se Policia ka identifikuar Nderim Beqirajn dhe Kushtrim Beqirajn si persona që dyshohet se kanë shtënë me armë në drejtim të automjetit të Kastratit.

Të dy janë kërkuar në disa lokacione të ndryshme, por nuk janë gjetur dhe tashmë janë futur në kërkim policor.

Kujtojmë se gjatë bastisjeve të kryera pas incidentit, Policia kishte sekuestruar edhe një kallashnikov me karikator dhe 13 fishekë, armë që dyshohet të jetë përdorur në sulm.

Një atentat i dyshuar, një i plagosur, dy persona në arrati dhe një armë e gjetur brenda veturës së viktimës. Hetimet po nxjerrin në pah një histori shumë më komplekse sesa dukej në orët e para pas ngjarjes.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

Shënim: Personi i përmendur në këtë lajm konsiderohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës kompetente.

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU