Dy shtetase të Kolumbisë kanë raportuar se janë grabitur nga disa persona në orët e para të mëngjesit në Prishtinë.
Sipas raportit policor, ngjarja ka ndodhur më 19 qershor 2026, rreth orës 00:50, në rrugën “Zahir Pajaziti”, ku pesë persona të dyshuar, nën kërcënimin e një mjeti të mprehtë, u kanë marrë viktimave një telefon celular dhe 700 euro para të gatshme.
Policia ka bërë të ditur se nga rasti nuk është raportuar për persona të lënduar, ndërsa të dyshuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes.
Njësitet relevante policore kanë nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e personave të dyshuar, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.


