Zhvillimet në LDK, kryetari i degës në Klinë del me qëndrim të prerë

Kryetari i Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Klinë, Alban Rraci, ka reaguar ndaj kërkesave të fundit për dorëheqjen e kryetarit të partisë, duke i cilësuar ato si joetike dhe të papranueshme nga pikëpamja procedurale.

Në një deklarim publik, Rraci ka thënë se kërkesa për largimin e kryetarit të LDK-së “prej së largu”, përmes studiove televizive apo rrjeteve sociale, nuk i shërben fuqizimit të partisë.

“Këtë thirrje e bën edhe më të dobët fakti se vjen nga dy degë ku rezultati i zgjedhjeve në favor të LDK‑së është në disproporcion të madh krahasuar me fuqinë e tyre politike në komunat përkatëse.

Për më tepër, kjo thirrje vjen në një kohë kur qytetarët e Kosovës presin nga klasa politike krijimin e institucioneve shtetërore. Çdo goditje e tillë ndaj lidershipit aktual të LDK‑së e dobëson pozicionin e partisë në negociatat e mundshme për krijimin e institucioneve, apo edhe në pozicionimin e saj si një opozitë e fortë” deklaron Rraci.

Ky është postimi i plotë i tij:

Të kërkosh dorëheqjen e kryetarit të LDK‑së “prej së largu” nuk është as etike, as proceduralisht e pranueshme, dhe aq më pak në shërbim të fuqizimit të LDK‑së.

Prej së largu – në studio të debateve televizive, në postime në rrjetet sociale – thirrje të tilla mund t’i bëjnë analistë politikë, qytetarë apo simpatizantë të LDK‑së, të cilët nuk janë të kyçur drejtpërdrejt në strukturat partiake. Por që thirrje të tilla të vijnë nga udhëheqës të dy degëve të fuqishme të LDK‑së (Pejë, Lipjan) nuk ka qenë e pritshme, aq më pak kur nuk ka shumë kohë që një kërkesë të tillë kanë mundur ta parashtrojnë në forumet partiake (Kuvend, Kryesi), pra sy më sy.

Këtë thirrje e bën edhe më të dobët fakti se vjen nga dy degë ku rezultati i zgjedhjeve në favor të LDK‑së është në disproporcion të madh krahasuar me fuqinë e tyre politike në komunat përkatëse.

Për më tepër, kjo thirrje vjen në një kohë kur qytetarët e Kosovës presin nga klasa politike krijimin e institucioneve shtetërore. Çdo goditje e tillë ndaj lidershipit aktual të LDK‑së e dobëson pozicionin e partisë në negociatat e mundshme për krijimin e institucioneve, apo edhe në pozicionimin e saj si një opozitë e fortë.

Për momentin, LDK ka kryetar, ka kryesi; na duhet të ulemi dhe këto çështje t’i diskutojmë brenda shtëpisë.

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU