Haxhiu: Kosova së shpejti do të ketë qendër rehabilitimi për personat e varur nga narkotikët

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se së shpejti do të adresohet çështja e krijimit të një qendre profesionale rehabilitimi për personat e varur nga substancat narkotike.

Deklarata e saj u bë në Ditën Ndërkombëtare kundër Abuzimit me Drogat dhe Trafikimit të Paligjshëm, ku Haxhiu tha se për problemet që lidhen me drogat duhet të flitet hapur, pa paragjykime dhe pa e fshehur rrezikun që paraqesin.

Ajo theksoi se shumë familje në Kosovë përballen me raste të varësisë nga substancat narkotike dhe se personat e prekur kanë nevojë për trajtim, mbështetje dhe rehabilitim.

“Personi i varur nga substancat narkotike nuk është kriminel dhe as trafikant. Ai është një person që ka nevojë për trajtim dhe përkrahje. Ndërsa ndaj trafikantëve duhet të jemi të pakompromis”, u shpreh Haxhiu.

Nga Policia e Kosovës, togeri Faruk Bunjaku nga Drejtoria Kundër Drogave tha se janë duke u ndërmarrë masa në luftimin e shpërndarjes së drogave, përfshirë prezencën e policëve në shkolla dhe aktivitetet kundër trafikimit.

Sipas tij, marihuana vazhdon të jetë droga më e përhapur në Kosovë, ndërsa kohëve të fundit është vërejtur rritje e përdorimit të kokainës.

Edhe drejtori ekzekutiv i OJQ-së “Labyrinth”, Safet Blakaj, ngriti shqetësimin për përhapjen e kokainës dhe “krak-kokainës”, duke thënë se këto substanca krijojnë varësi të shpejtë dhe po prekin edhe grupmosha më të reja.

Ai bëri të ditur se mosha e personave që kërkojnë ndihmë për përdorim të kokainës ka rënë ndjeshëm, duke shprehur shqetësim për rastet te personat nën moshë./Raporto24/

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU