Një objekt afarist në Parkun e Qytetit në Prishtinë është përfshirë nga zjarri mëngjesin e sotëm, rreth orës 08:00.
Ekipet e zjarrfikësve luftuan për më shumë se tri orë për ta vënë zjarrin nën kontroll. Si pasojë e flakëve janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale në bizneset që ndodheshin brenda objektit.
Drejtori për Siguri dhe Emergjenca në Prishtinë, Lulzim Fushtica, tha se zjarri është lokalizuar, ndërsa ekipet kanë vazhduar punën për të parandaluar përhapjen e flakëve në ndërtesat përreth.

“Ende jemi duke intervenuar që nga mëngjesi, pas orës 07:00. Të gjitha ekipet janë angazhuar: zjarrfikësit, policia, ekipet mjekësore dhe Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca. Për momentin situata është nën kontroll dhe po bëjmë gjithçka që është e mundur që zjarri të mos përhapet në ndërtesat fqinje. Zjarri është lokalizuar dhe është fikur, por ende kemi punë në terren. Shpresojmë që shumë shpejt edhe ky problem të tejkalohet. Për momentin nuk ka rrezik që zjarri të përhapet në ndërtesat e tjera”, tha Fushtica.

Autoritetet po vazhdojnë hetimet për të përcaktuar shkaqet e shpërthimit të zjarrit, ndërsa nuk raportohet për persona të lënduar/Raporto24/



