​Policia identifikon numrin nga Serbia pas dy kërcënimeve për bombë në Prishtinë

Policia e Kosovës bën se, ka zbardhur lidhjen ndërmjet dy kërcënimeve të rreme për bombë në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë, duke bërë të ditur se hetimet kanë çuar në identifikimin e të njëjtit numër telefonik në Serbi si burim i të dy telefonatave.

Sipas policisë, më 30 qershor rreth orës 07:48, Qendra Operative ka pranuar një telefonatë në gjuhën serbe, ku pretendohej në mënyrë të rreme se në Stacionin e Autobusëve ishte vendosur një mjet shpërthyes.

Menjëherë pas alarmit, njësitë policore evakuuan qytetarët, siguruan perimetrin dhe angazhuan Njësinë për Trajtimin e Mjeteve Shpërthyese, njësinë K9, hetuesit policorë, si dhe shërbimet e zjarrfikësve, autoambulancës dhe Drejtorisë së Emergjencave të Komunës së Prishtinës.

Pas kontrollit të detajuar të objektit dhe zonës përreth, nuk u gjet asnjë mjet shpërthyes, ndërsa stacioni rifilloi punën normalisht.

Lidhur me rastin është iniciuar hetim për veprën penale “Lajmërimi apo kallëzimi i rremë”, me autorizim të prokurorit kompetent.

Policia bëri të ditur se rasti i fundit është ndërlidhur drejtpërdrejt me kërcënimin e rremë të 22 qershorit, që kishte në shënjestër të njëjtin objekt. Sipas Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Kibernetike, të dy telefonatat janë realizuar nga i njëjti numër telefonik në Serbi, ndërsa janë siguruar edhe prova të tjera elektronike që i lidhin rastet mes tyre.

Policia theksoi se ka kapacitete të avancuara profesionale dhe teknike për hetimin e krimeve kibernetike dhe gjurmimin e komunikimeve kriminale, duke nënvizuar se autorët e telefonatave anonime, profileve të rreme apo veprimeve nga jashtë vendit mund të identifikohen.

Në fund, Policia e Kosovës ritheksoi se do të përdorë të gjithë mekanizmat ligjorë dhe bashkëpunimin ndërkombëtar për të identifikuar dhe sjellë para drejtësisë personat që cenojnë sigurinë publike, ndërsa u bëri thirrje qytetarëve të mos bien pre e dezinformatave dhe panikut.

Të fundit

LEXONI GJITHASHTU