Dy persona kanë humbur jetën si pasojë e një aksidenti të rëndë trafiku që ka ndodhur mbrëmjen e 3 korrikut në fshatin Babimoc të Obiliqit.
Sipas Policisë së Kosovës, aksidenti ka ndodhur rreth orës 23:15 dhe ka përfshirë një motoçikletë, në të cilën ndodheshin një vozitës dhe një pasagjer, të dy meshkuj kosovarë, si dhe një këmbësor mashkull kosovar.
Si pasojë e lëndimeve të marra, vozitësi dhe pasagjeri kanë ndërruar jetë në vendin e ngjarjes. Vdekja e tyre është konstatuar nga mjeku kujdestar.
Ndërkohë, këmbësori është dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ndërsa pas trajtimit është liruar për në shtëpi.
Me vendim të prokurorit, trupat e pajetë janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion, ndërsa rasti është duke u hetuar nga organet kompetente.


